Së shpejti premiera e Viktor Frankeshtain

“Frankenshtani”, lufta mes ekzistencës dhe mosekzistencës. Si do të përfundojë beteja mes dashurisë, jetës dhe vdekjes? Viktor Frankeshtain, i konsumuar nga pasioni i tij për shkencën sjell në jetë një krijesë të njohur për shumë prej nesh si krijesa e Frankenshtainit. Si do të reagojë ai para këtij zbulimi?

Shumë pyetje që ngrihen natyrshëm për dramën e shkruar nga Tim Kelly bazuar në veprën e Mary Shelley do të marrin përgjigjen në premierën shqiptare të kësaj vepre më 18 prill në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën regjinë e Ilir Bokshit në role kryesore intepretojnë aktorët Helidon Fino, Besmir Bitraku, Lulzim Zeqja, Yllka Mujo, Klea Huta, Gent Hazizi, Erjona Kakeli dhe Niada Saliasi.

Viktor Frankenshtain në vepër luhet nga aktori Helidon Fino, Krijesa nga Besmir Bitraku. “Nuk ka faj krijesa pse duket kështu, dhe pse është i bërë nga copat e trupave të vdekur, nuk ka faj ky që është një njeri i gjallë dhe është i vdekur, ka faj doktori që tenton dhe tundon zotin dhe natyrën”, pohon regjisori Bokshi.

“Viktor Frankenshtain përfaqëson prindin, përfaqëson drejtuesit e shoqërisë, përfaqëson kujdestarin do ta quaja, dhe krijesa përfaqëson njeriun që është në nevojë dhe gjithmonë duhet të përpiqemi të mundohemi mos ti vëmë në pah difektet dhe ta mbajmë larg. Por ta mbajmë afër, ka plot njerëz në shoqëri që nuk kanë mundësi dhe kanë plot probleme”, tregon Helidon Fino. Personazhi i Viktor Frankenshtian një mostër që nuk pranohet nga shoqëria, intepretohet nga aktori Besmir Bitraku.

Këtë herë, regjisori Ilir Bokshi rikthen në skenë dhe aktoren e njohur Yllka Mujo, e cila interpreton nënën e Frankenshtainit. Vepra është përkthyer nga Shkëlzen Berisha, skenograf Petrit Bakalli, kostumografia nga Vese Kraja, muzika Art Lokaj, as. regjisore Algi Aga dhe maska Jacopo Tomassini.Viktor Frankenshtain është një njeri i konsumuar nga pasioni i tij për shkencën. Projekti i tij jetësor bëhet zbulimi i sekretit të krijimit: si lind jeta brenda një trupi?

Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një mënyrë për të kthyer në jetë indet e njeriut të vdekur. Duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij eksperimental, ai sjell në jetë një krijesë të njohur për shumë prej nesh si monstra e Frankenshtainit. Pjesa gërsheton elementë melodramatikë me ngjyrime gotike, ku tragjedia e një njeriu bëhet vet kryelartësia e tij.

Natyrisht pjesa përmban edhe elementë fantastiko-shkencorë dhe thriller. Me skena të shkëlqyera dhe situata komike, ky version i dramatizimit i përrallës klasike nga Tim Kelly, është provokues dhe shumë zbavitës. Filmi me titull “Frankenshtain nga Mary Shelley” produksion i vitit 1994, me regjisor dhe aktor Kenneth Branagh i cili luan rolin e Viktor Frankeshtain, së bashku me aktorin Robert De Niro i cili luan rolin e Krijesës, është pa diskutim versioni më i afërt i historisë origjinale shkruar nga Mary Shelley në vitin 1816.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *