Teksa kanë rritur investimet dhe kapacitetet e shfrytëzimit, bizneset e ndërtimit kanë thelluar pesimizmin në lidhje me ecurinë e çmimeve. Duke iu përgjigjur një ankete të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të 2018-s, bizneset e sektorit presin që çmimet të bien me 6.8%.

Në këndvështrimin e bizneseve, rënia e çmimeve ka qenë më e lartë se pritshmëritë e tremujorit të fundit të vitit. Investimet e shumta në sektor, sidomos në Tiranë, rrezikojnë të sjellin një mbiofertë në raport më kërkesën, duke i bërë disa nga operatorët e fushës pesimistë për çmimet, edhe pse të dhënat nga tregu nuk e vërtetojnë këtë tendencë. Teksa ndërtuesit parashikojnë ecurinë e çmimeve me rënie sistematike, çmimet e banesave në Tiranë në tremujorin e parë të vitit shënuan rritje me rreth 20% në disa zona.

Në fund të vitit të kaluar, në parashikimet e dhëna për vitin 2018 në lidhje me ecurinë e çmimeve, operatorët e tregut dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme patën pritshmëri të ndryshme lidhur me ecurinë e çmimeve të apartamenteve gjatë këtij viti. Hajredin Fratari, ndërtues, tha se çmimet do të jenë në rritje. Ai tha se arsyeja kryesore për rritjen e sektorit të ndërtimit rezidencial është kërkesa dhe planet urbanistike të Bashkisë. Sipas tij, çmimet pritet të rriten më tej për 2018, me rreth 100 euro për metër katror.

Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, parashikon se çmimet do të jenë në varësi të ndërtimit, çka nënkupton vendin dhe cilësinë e objektit. Ai tha se në qendër dhe brenda zonës së Unazës së Madhe, çmimet do të jenë në rritje, ndërsa në periferi pritet të ketë ulje. Ndryshe nga ndërtuesit, këtë vit agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë stabilitet. Këtë vit aplikohet edhe taksa mbi pronën, e cila ndryshon në objektet për banim dhe ato për biznes. Sipas aktorëve të tregut, kjo taksë e re nuk do të transferohet në çmim, por të mbahet nga pronarët.

Zhvillimi i ofertës dhe kërkesës në sektor me burime financiare jo formale po i bën nul parashikimet për çmimet. Logjika të çon se oferta më e madhe për banesa do të ushtrojë presion në uljen e çmimeve, teksa ne realitet ka ndodhur e kundërta, çmimet janë rritur. Por, megjithatë, ndërtuesit kanë rritur skepticizmin, duke u shprehur se, jemi në prag të shpërthimit të flluskës në sektor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here