Nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me artistët e Teatrit Kombëtar, por Ministria e Kulturës duket se rrugën e komunikimit e ka shtruar tashmë me përfaqësuesit e Skenës së Pavarur Kulturore.

Pas takimeve të njëpasnjëshme, të dyja palët kanë firmosur këtë të premte një marrëveshje përmes së cilës synojnë bashkëpunim lidhur me ndryshimet në ligjin e ri për Artin dhe Kulturën.

Ndër të tjera, ministrja e Kulturës vuri theksin në lehtësimet fiskale që do të përfitojnë shoqatat kulturore përmes ndryshimeve në ligj, të cilat më së shumti e ushtrojnë aktivitetin e tyre bazuar mbi donacione.

“Javën e kaluar, edhe me porosi të Kryeministrit, bashkë me ministren e Arsimit, kemi filluar punën për të bërë një rishikim të ligjit për sponsorizimet. Kemi mbledhur disa materiale, disa informacione për të gjetur një model se si të lehtësojmë më shumë nga pikëpamja fiskale biznesin. Në fakt, ky ishte edhe synimi i disa ndryshimeve që ne propozuam në ligj, por që le të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët me të cilën ne të ecim”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

“Jemi shumë të kënaqur që më në fund po arrijmë që të kurorëzojmë firmosjen e këtij memorandumi të mirëkuptimit, që më shumë është një akt angazhimi reciprok për të çuar disa punë dhe detyra përpara që ne i kemi vënë vetes në takimet e mëparshme”, tha përfaqësuesi i Skenës së Pavarur Kulturore, Andi Tepelena.

Marrëveshja është akti i parë juridik që synon një bashkëpunim aftagjatë dhe përfshirjen jo vetëm për ligjin e ri për Artin dhe Kulturën, por edhe iniciativa të tjera, të cilat prekin fushën e zbatimit ku operon Skena e Pavarur Kulturore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here