Janë falsifikuar dokumente sidomos në bashkëpunim me zyrtarë të hipotekave 

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se është në sitë i gjithë dokumentacioni i pronësisë nga viti 1992 deri në ditët e sotme. 

Ka prova që qindra hektarë tokë janë përfituar padrejtësisht. Janë falsifikuar dokumente sidomos me ndarjet sipas ligjit 7501 në bashkëpunim me zyrtarë të hipotekave. Shumë nga zyrtarët apo familjarë të tyre kanë përfituar vetë prona në bregdet” , bëjnë me dije këto burime.

 Kohët e fundit u zbulua skandali me abuzimin e pronave në Velipojë ku është përfshirë edhe një ish-zyrtar i hipotekës në një qytet në veri që mendohet se është vrarë.

Njësia Task-Forcë në Policinë e Shtetit po bën verifikime edhe në Himarë .

Me qindra hektarë tokë në bregdet janë përfituar padrejtësisht në bashkëpunim me zyrtarë të Hipotekave dhe të pushtetit vendor. 

Ky është raporti paraprak i Njësisë Task-Forcë në Policinë e Shtetit, nga ku rezulton se madje në Velipojë edhe deti është marrë në pronësi. Një ish-zyrtar mendohet se është vrarë, pasi ka dyshime se ka lidhje me këtë skandal.

Një pjesë e detit të Velipojës është në pronësi të disa personave, të cilët, në bashkëpunim me zyrtarë të Hipotekave, kanë falsifikuar dokumentet. 

Kjo është gjetja skandaloze e konstatuar në raportin paraprak të Njësisë Task-Forcë të Policisë së Shtetit, e cila ka kontrolluar dokumentacionin për pronat në të gjithë bregdetin. 

Në këtë skandal mendohet se është impikuar edhe një ish-zyrtar në Veri të Shqipërisë, i cili është ekzekutuar me kallashnikov para pak kohësh. 

Ekspertët kanë ngritur dyshime pasi në banesën e tij janë gjetur dokumente pronësie, pikërisht për tokën në Velipojë. 

Hetimi sapo ka filluar dhe çeshtja është ende në verifikim nga policia. 

Nga ana tjetër edhe në Himarë janë nën survejim nga Task Forca e policisë 2 punonjës të bashkisë, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me disa persona, të cilëve u kanë kaluar në pronësi disa toka në bregdet. 

Në total mendohet se janë qindra hektarë tokë në të gjithë vijën bregdetare, për të cilat ka dyshime se janë përfituar në mënyrë abuzive. 

 Ndarja sipas ligjit 7501 dhe shndërrimi nga ranishte në tokë arë është skema klasike e këtyre abuzimeve. Hetime po zhvillohen edhe në Durrës, Vlorë dhe zona të tjera bregdetare.

Më 13 mars Qeveria pezulloi ndarjen e tapive në zonat me përparësi për investime strategjike, për përfituesit e tokave bujqësore në bazë të ligjit 8053 të vitit 1995 për ndarjen pa shpërblim të tokës për ish ndërmarjet bujqësore.

Bëhet fjalë për toka që kryesisht janë pranë zonave bregdetare dhe pezullimi do zgjasë deri në krijimin e një Fondi tokash për Mbështetjen e Investimeve Strategjike. Vendimi i qeverisë ndalon të gjitha procedurat për dhënien e tapive, në cilëndo fazë qofshin ato. Veprimi vjen pas nisjes së aksionit për të kontrolluar 30 mijë parcelat e shpërndara në zonat bregdetare, të cilat janë lajmëruar se do të konfiskohen nëse gjenden në shkelje të ligjit apo falsifikime duke marre si shembull tokat e grabitura në Spille.

Sipas shifrave zyrtare deri në fund të 2017 ishin rreth 2 300 aplikime nga qytetarët që kërkonin marrjen e tapive për tokat e ndara me ligjin e ish ndërmarrjeve bujqësore. Madje në nëntor të vitit të kaluar u miratua nga Parlamenti dhe shtyrja e afatit ligjor për ndarjen e këtyre tapive dhe vazhdimin e punës së komisioneve vendore.

Nuk dihet sesa nga këto kërkesa do përfshihen në pezullimin e bërë nga qeveria, pasi verifikimi do jetë i gjerë. Ndërkohë nga ana tjetër ligji i 2015 për investimet strategjike, parashikon që investitorëve specialë që marrin këtë status nga qeveria, t’u vihen në dispozicion përdorimi i pasurive të paluajtshme shtetërore, si trojet, pyjet, dhe tokat bujqësore për qëllime biznesi.

Këto pasuri do të përfshihen në fondin e posaçëm të tokave që do të administrohet nga agjencitë qeveritare. Nga mbi 700 mijë hektarë tokë bujqësore që kishte zyrtarisht Shqipëria në vitin ‘92, 560 mijë hektarë janë ndarë me ligjin 7501 dhe me ligjin.8053, datë 21.12.1995 për ndarjen e tokës së ish ndërmarrjeve bujqësore, 80 mijë hektarë i administrojnë bashkitë për t’i dhënë me qira, ndërkohë mbi 23 mijë hektarë të tjerë janë si fond kompensimi fizik për Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe pjesa e mbetur zotërohet nga ministria e Bujqësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here