Seanca e sotme parlamentare u shoqërua nga tensioni dhe përplasja mes palëve, ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u bë protagonist pasi iu kthye “me të njëjtën monedhë” deputetëve të opozitës, të cilët hodhën letra, ujë dhe miell në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili ishte ulur pranë tij.

Teksa në rrjet po qarkullon videoja ku ministri i acaruar hap shishen e ujit dhe e hedh mbi kokat e deputetëve të opozitës, Bushati me anë të një statusi në Facbook kërkon ndjesë për formën e reagimit.

“Dua të pranoj që në fillim se jam i keqardhur për reagimin tim instinktiv ndaj agresionit te ulët me miell, vezë e të tjera mjete rrethanore, nga grupi i pushtuesve të dhunshëm të foltores së Kuvendit, pa llogaritur lumin e të sharave vulgare! Kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin që nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë në ato kushte krejt të papranueshme për çdo mjedis publik, e lere më pastaj për një Kuvend demokratik”, shkruan Bushati.

Më tej ai thekson se “reagimi në atë skenë ku ligësia e verbërisë politike është ulur këmbëkryq duke na turpëruar të gjithëve, edhe njëherë tjetër në sytë e prindërve e të fëmijëve të këtij vendi, as nuk e fshin as nuk e lehtëson barrën e rëndë të përgjegjësisë së dhunuesve recidivë të bashkëjetesës parlamentare”. Për ta, ministri i Jashtëm thotë se “ushqejnë publikun me farmakun e gjuhës vulgare duke u bere shembulli udhëheqës për çdo rrëmujaxhi e shkatërrues potencial të aspiratave të qytetareve të zakonshëm të këtij vendi”.

“Salla e Kuvendit, nga një hapësirë ku, si ne çdo vend te botes demokratike, duhet te triumfoje debati i civilizuar, është kthyer nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ne një skene turpëruese, ku opozita me çdo kusht kërkon te vrase fjalën argumentin dhe vete ligjësitë e bashkëjetesës demokratike”, thekson ai.

Përveç ndjesës, Bushati ndalet edhe tek çështja e negociatave të anëtarësimit, duke thënë se “javën e ardhshme Shqipëria dhe shqiptaret presin një lajm te një rëndësie te posaçme: Rekomandimin Komisionit Evropian për çeljen e negociatave te Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.

“Ne vend qe te ishim sot te gjithë bashke, për këtë sukses te Shqipërisë, jo te qeverise, te shqiptareve pa dallim, jo te një pale ne Kuvend, jemi te ndare keqaz një opozite qe investohet çdo dite e me shume për ta kthyer këtë vend ne një problem për miqtë e partneret e Shqipërisë. Është e qarte: Sa me shume i afrohemi BE-së, sa me te shumta e konkrete bëhen rezultatet e reformave dhe veçanërisht te Reformës ne Drejtësi dhe Vetingut, aq me keq ndjehen dhe sillen me vete Shqipërinë, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, argumenton kreu i diplomacisë shqiptare.

Por, sipas Bushatit, “Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë për marrjen rekomandimit te shumëpritur dhe askush nuk mund ta djegë këtë stacion te ri te rrugëtimit tone evropian”

“Njësoj siç tentuan te bllokojnë reformën ne drejtësi me çdo mjet dhe siç tentuan te shkatërrojnë zgjedhjen për te bllokuar Vetingun, ata sot po tentojnë te bllokojnë te ardhmen e Shqipërisë Evropiane. Nuk ia dolën atëherë, nuk do t’ia dalin dot as tani. Edhe njëherë ndjese për çka unë personalisht nuk munda te evitoj sot dhe me vjen vërtet mire qe i përkas një familje politike, ku gabimet shihen ne sy dhe kush gabon nuk i bën bisht pergjegjesise se vet ndaj publikut!”, deklaron ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here