Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu mesditën e sotme u ndal në selinë e Presidencës, ku qëndroi përreth një orë në një takim me kreun e shtetit Ilir Meta.

Interesit të mediave lidhur me takimin e sotëm mes Presidenti Meta dhe Ambasadorit Lu, Drejtori i Kabinetit të Presidentit Arben Cici u shpreh:

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Sh.T.Z. Donald LU me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend.

Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim”.

Takimi erdhi një ditë pas publikimit të letrës së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për Kongresin amerikan, ku akuzonte ambasadorin Lu se i kishte kërkuar pikërisht arrestimin e Metës, asokohe Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Më vonë, ambasadori Lu, përmes një deklarate për mediat, mohoi të kishte kërkuar arrestimin e Metës dhe e akuzoi ish-Prokurorin e Përgjithshëm Llalla një gënjeshtar, “i cili rrezikon të përfundojë në burg për akuzat për korrupsion”.

Pikërisht për këto akuza, Prokuroria e Durrësit ka hapur një hetim ndaj Llallës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here