Inflacioni frenoi përsëri në muajin mars, duke qëndruar në kufijtë e poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore. Sipas të dhënave nga Instat, për marsin inflacioni zbriti në 2%, nga 2.1% që kishte qenë në shkurt.

Megjithëse çmimet e ushqimeve shpejtuan rritjen, efekti i kësaj rritjeje u kompensua nga rënia e ndjeshme në grupet “qira, ujë lëndë djegëse, energji”, në grupin “transporti”, si dhe në atë “veshje e këpucë”. Rezultati është që rritja e inflacionit ende nuk po fiton kuotë dhe ngelet në nivele të ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë muajit mars, inflacioni i grupit të ushqimeve arriti në 3.1%, nga 2.7% që kishte qenë për shkurtin. Instat raporton se mes ushqimeve shtrenjtimi ishte kryesisht i ndjeshëm te frutat dhe te zarzavatet. Ndërkohë që inflacioni i ushqimeve u rrit krahasuar me shkurtin, frenim pësoi grupi “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”.

Për marsin, inflacioni i këtij grupi ishte 2.2%, nga  3.1% që kishte qenë muajin e kaluar. Në muajt e parë të vitit, ky grup kishte dhënë një kontribut në rritje në inflacion, për shkak të rritjes së çmimeve të ujit të pijshëm në Tiranë dhe disa bashki të tjera në vend.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për vitin 2018 të rritet më tej nga niveli 2% i vitit 2017, ndërsa parashikimet janë që objektivi prej 3% të arrihet në gjysmën e parë të vitit 2019.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here