“Plani ynë është për ta çuar në 12 milionë lekë të reja pragun e TVSH-së për biznesin e vogël.”Kështu është shprehur kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimit të tij me përfaqësues të biznesit të vogël.

Sipas Bashës, përfshirja e biznesit të vogël në TVSH është si një skemë nga e cila do të humbasin të gjithë, duke sjellë mbylljen e 50 mijë subjekteve. Duke përgëzuar biznesmenët e vegjël për mbylljen e qepenave disa ditë më parë, kreu i PD-së shtoi se veprimi është e vetmja rrugë që mund të rikthejë shpresën në vend.

“Me TVSH e biznesit të vogël planifikohen të futen në arkën e shtetit 15 milionë dollarë. Kjo është e vërteta e TVSH-së. Grabitet shumica për t’i dhënë pakicës. Mos kini frikë. Ngrihuni! Nuk ka rrugë tjetër. Vetëm veprimi mund të rikthejë shpresën në këtë vend. Nuk jemi në humbëtirë, jemi në zemër të Europës”, tha Basha.

Duke u ndalur më tej te plani konkret i Partisë Demokratike për biznesin e vogël, që sipas tij është një produkt i konsultimit me këtë të fundit, shtoi se në të parashikohet gjithashtu edhe ulja e TVSH-së me 15% për biznesin e vogël. Po ashtu, sipas tij,  ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë të rritet dhe të sigurojë punësim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here