Pensionet në fshat dhe qytet do të shoqërohen me një rritje jo më shumë se 3 % duke filluar nga periudha maj-gusht.

Qeveria duket se ka planifikuar si rritje të pensioneve, ashtu edhe shpërblime për pensionistët për festat e fundvitit. Shtimi i masës së pensioneve në vetvete nuk mund të konsiderohet rritje, pasi ka të bëjë me indeksimin e tyre. Pra, shteti thjesht do të bëjë rimbursimin e efekteve të rritjes së çmimeve.

Fondi për indeksimin e pensioneve  është 1.82 miliardë lekë. Ndërsa masa e rritjes me shumë gjasa do të jetë pak më shumë se niveli i inflacionit, pra mbi 3%. Vendimi i qeverisë për këtë indeksim, sipas burimeve do të ndodhë në katërmujorin e dytë të vitit, pra në periudhën  Maj-Gusht.

Qeveria ka vendosur këtë vit edhe për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, por pa përcaktuar ende masën e shpërblimit.

Rritja e pensioneve

Referuar programimit të Buxhetit Afatmesëm, të miratuar tashmë nga qeveria për vitet 2016-2018, rezulton se kjo politikë nuk do të ndryshojë, por do të ndjekë një trend rritës.

Kështu referuar këtij dokumenti programi “Sigurime Shoqërore” mbulon me fonde dhënien të drejtave për përfitime nga: skema e detyrueshme; skema suplementare; shpenzime për programe të tjera nga buxheti i shtetit për kompensime; shpenzime për kryerjen e funksioneve të ISSH.

Përmirësimi i nivelit të jetesës së përfituesve do të vijojë vit pas viti, nëpërmjet indeksimit të përfitimeve nga sigurimet shoqërore me një ritëm mesatar vjetor rritje prej 2.5% deri 3 %, në mënyrë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore të sigurojnë një nivel mesatar jetese.

Kush përfiton

Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë edhe ata të moshuar që dalin në pension pas muajit korrik 2018. Kjo do të thotë se përfitohet një shtesë, nga formula që llogariten sot pensionet. “Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar; b) Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive; c) Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi”, – thuhet në ligjin e sigurimeve shoqërore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here