Në një kthesë të jashtëzakonshme të çështjes gjyqësore kundër një prej politikanëve më popullorë të Brazilit, ish-presidenti Luiz Inacio Lula Da Silva do të shkojë pas hekurave, ndërsa apelon dënimin për korrupsion.

Ai përballet me 12 vite burg mbi akuzat për mitmarrje, por kishte kërkuar të qëndronte në liri gjatë gjykimit. Lula da Silva pretendon se akuzat janë të motivuara politikisht dhe synojnë të pengojnë kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale të tetorit.
Sondazhet sugjerojnë se Da Silva është kandidati favorit për të fituar garën. Gjykata e Lartë vendosi kundër tij pas një seance maratonë që përfundoi në orët e para të së enjtes. Ish-presidenti 72-vjeçar pritet të qëndrojë i lirë për një periudhë të shkurtër kohe, deri sa të përgatiten dokumentet për arrestimin e tij.
Partia e Punëtorëve e ish-liderit, tha se kjo ishte një ditë tragjike për demokracinë në Brazil. Deri kohët e fundit të akuzuarit në vend, mund të qëndronin në liri deri sa të konsumohej apeli i fundit.
Megjithatë Gjykata e Lartë shqyrtoi një vendim të 2016-ës nga një gjykatë më e ulët, mbi bazë të së cilës të akuzuarit mund të burgosen pas dështimit të apelimit të parë.
Presidenca e Lula Da Silva është shtrire nga 2003 deri në 2011-n. Pavarësisht popullaritetit në sondazhe, ai mbetet një figurë përçarëse në shtetin amerikanojugor. Rreth 20 mijë persona protestuan në Sao Paulo të martën, duke kërkuar burgosjen e tij të menjëhershme, ndërsa mijëra mbështetës të tij zhvilluan një manifestim rival.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here