Nga Edlira Gjoni

Para disa muajsh, një studim prekës i Këshillit të Europës dhe ISOP thoshte se në shkollat tona, fëmijët vuajnë nga tallje, përqeshje, vënie në lojë, presion psikologjik, përjashtim nga grupet e forma të tjera bulizmi (fjala siç përdoret tani).

Si pasojë, fëmijët tërhiqen, mbyllen në vetvete, pësojnē trauma që mund të lënë gjurmë negative në të ardhmen e fëmijës. Deformojnë “normalitetin” e tij psikologjik e të sjelljes.

Këto pasoja ua shkaktojnë bashkëmoshatarët vetëm e vetëm se të përqeshurit mund të jenë nga fshati, se kanë puçrra në fytyrë, se janë të shkurtër, se janë të shëndoshë, se kanë prindēr të thjeshtë, pa makina luksi, se nuk bëjnë pushime jashtë, se nuk njohin VIP-at e silikonit, se nuk kanë katër apartamente e se as ato, as mami nuk vesh Prada e nuk kanë syze Rayban.

Përqeshje, tallje e sharje në shkolla, pak a shumë si tmerri i fjalëve që përdorin të rriturit në mediat e portalet online.

Për shkollat, studimi i futet me detaje mënyrës së ndërhyrjes, që nga trajnimi i mësuesve, deri te puna tek e tek me nxënësit e përbuzur, apo edhe aktivitetet krijuese me nxënës, mësues e edhe prindër, që përbuzja të ndalë!

Ky fenomen e studim u pasqyrua në media, por nuk arriti kurrë vëmendjen e një aspekti të vetëm të përbuzjes, që është prirja seksuale e njerëzve.

Çfarë nuk shkon me median e me reagimin publik?

Nuk kemi dëgjuar në media raste ekstreme të pasojave për njerëz nga komuniteti LGBT. As mos dëgjofshim kurrë!

Por fëmijët që kanë pësuar përbuzje e abuzim sistematik në shkolla për arsye fshati, klase, puçrrash, shëndeti, dashurie e theksi gjuhe, kanë përfunduar keq: agresorë, viktima, të dëmtuar në personalitet, gabues, të rënduar…

Pasojat e përbuzjes janë fatale. Dhe ndaj saj, janë të ekspozuar mbi 30% e fëmijëve në shkolla.

A ka mundësi të bëjmë debat kombëtar për fëmijët tanë?

E mirëkuptoj ndërgjegjësimin për komunitetin e LGBT, dhe përbuzja ndaj tyre NUK duhet toleruar!

Tani, a mund të merremi publikisht edhe me përbuzjet e tjera, që janë shkatërruese për mijërat e fëmijët që janë pre e ne nuk u japim zë?

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here