Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënuan me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, për të cilat thonë se rrisin tensionet në mënyrë të panevojshme dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, u bëhet thirrje palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore. Për të krijuar paqe e stabilitet të qendrueshëm në Ballkan, thuhet aty, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian, ndërsa Amerika shprehet e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në këtë proces.
Shqetësimi që shkaktoi situata e krijuar në veri të Kosovës ka shtyrë edhe Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Wess Mitchell, që të zhvillojë një bisedë telefonike me Presidentin serb, Aleksander Vuçiç, të cilit i ka kujtuar edhe një herë se ruajtja e paqes është parakusht për vazhdimin e çfarëdolloj bisedimesh mbi të ardhmen e rajonit.
Një ditë më parë, Federica Mogherini, nën ndërmjetësimin e së cilës janë zhvilluar takimet Thaçi-Vuçiç në kuadër të dialogut dypalësh, u nis me urgjencë drejt Beogradit për t’i përcjellë personalisht kreut të shtetit serb mesazhin se ajo që ndodhi në Mitrovicë nuk duhet të përsëritet më.
“Bashkimi Europian pret paqe, mençuri, përmbajtje dhe udhëheqje”, citohet të ketë thënë shefja e diplomacisë së BE-së. Bashkëbiseduesit, nga sa mësohet më tej, ranë dakord të gjenden mënyra të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhjen e problemeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore.
Në Prishtinë, ndërkohë, vëmendja është përqendruar tek zhvillimet politike. Tërheqja e Listës Serbe e ka vënë në pikëpyetje fatin e qeverisë “Haradinaj”. Kjo situatë mund të çojë në rikonfigurimin e saj ose në zgjedhje të parakohshme. Haradinajt do t’i duhen partnerë të rinj koalicioni e një prej forcave politike që lakuan ishte LDK-ja, por nënkryetari i saj, Lutfi Haziri deklaroi se partia e tij nuk ka kurrfarë interesi që të jetë “patericë” e ekzekutivit aktual.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here