Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar të dhënat e vëzhgimit të radhës për aksesin financiar sipas gjinisë në rang global. Nga 104 banka qendrore që plotësuan pyetësorët, vetëm 26 dhanë të dhënat e agreguara sipas gjinisë. Për herë të parë, në këtë sistem të dhënash, është përfshirë dhe Shqipëria, me informacionin e vitit 2016.

Rezulton që femrat në Shqipëri kanë akses pothuajse të njëjtë me burrat si në numrin e depozituesve, ashtu dhe llogaritë që zotërohen nga femrat. Ndërsa surprizë është fakti që gratë në Shqipëri kanë marrë më shumë kredi sesa burrat, të paktën në numër.

Sipas FMN-së, numri i femrave që kishin në depozitë në Shqipëri ishte 1,219,198, ose 48% e totalit. Numri i llogarive të depozitave që zotëroheshin nga gratë ishte 1,928,419, ose 49% e totalit. Numri i femrave huamarrëse ishte 190,741, ose 53% e totalit.

Numri i llogarive të kredive që zotërohen nga femrat ishte 309,530 ose 61% e totalit. Raporti nuk jep të dhëna sipas shumës, pra nëse shuma e marrë hua nga gratë është më e lartë sesa nga burrat, por gjithsesi për sa i përket numrit të llogarive të kredive, dominimi është i dukshëm.

Në Kosovë, pjesëmarrja e grave në sistemin financiar është shumë e ulët, ato kanë 35% të llogarive të depozitave dhe 26% të llogarive të kredive.
Për vendet e tjera të rajonit nuk ka informacion. Ndërsa nga 26 vendet që kanë dhënë informacion, Shqipëria mban rekord për peshën më të lartë të llogarive të huave që zotërohen nga femrat. I dyti më i lartë nga vendet, që kanë raportuar është Brazili, me 53%.

Edhe për peshën e depozitave, Shqipëria është një nga vendet me peshën më të lartë të zotëruesve femra.
FMN thotë se ndërsa pesha mesatare e femrave depozituese dhe huamarrëse në vendet që kanë raportuar të dhënat sipas gjinisë në vitin 2016 ishte rreth 40%, të dhënat gjithashtu raportojnë diferenca të dukshme mes vendeve. Ky ndryshim, thotë FMN, mund të lidhet me diferencat mes vendeve për sa i përket pjesëmarrjes në tregun e punës.

FMN thotë se këto të dhëna duhet të shërbejnë për të përqendruar vëmendjen në politika që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e hendekut gjinor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here