Ministri i Diasporës, Pandeli Majko është takuar me ministrin Kanadez për emigracionin, Ahmed Hussen.

Ata diskutuan lidhur me marrëveshjen për pensionet, një çështje me shumë interes për shqiptarët në Kanada. Gjatë bisedës u tha se draft marrëveshja është finalizuar dhe të dyja palët janë gati ta firmosin. Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve ishte një tjetër temë e rëndësishme e prekur në takim.

Hussen informoi Majkon se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada.

Më herët Majko vizitoi shkollën shqipe në Otava ku që nga viti 2000 gjuha shqipe është përfshirë në programin mësimor si gjuhë e tretë, pas anglishtes dhe frengjishtes.
‘Foluni fëmijëve në gjuhën amëtare. Vetëm kështu do të mund ta përcjellim identitetin shqiptar nëpër breza”. Me këtë mesazh iu drejtua Ministri mësuesëve dhe prindërve. Mësimi i shqipes zhvillohet ditën e shtunë dhe z. Majko vlerësoi sakrificat dhe punën e mësuesëve e prindërve për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj. Gjatë takimit, Ministri foli për hapat që po ndërmerren në bashkëpunim më qeverinë shqiptare dhe atë të Kosovës, për të lehtësuar qasjen ndaj librave shqip.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here