Nga Maksim Sinemati

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Ues Miçell, shkon sot (të martën) në Shkup, ku, sipas paralajmërimeve jozyrtare, të publikuara në median vendase, temë kryesore bisedimesh do të jetë çështja e emrit të Maqedonisë, më konktretisht mosmarrëveshja që kanë për këtë çështje Maqedonia dhe Greqia. Kohët e fundit, sikurse dihet, mbas ndërrimit të pushtetit në Shkup, zyrtarët më të lartë të të dy vendeve, përfshi kryeministrat maqedonas dhe grek, përkatësisht, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, dhe ministrat e Jashtëm përkatës, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias, janë takuar dhe i kanë afruar qëndrimet e tyre ndaj kësaj çështjeje, duke i rritur shpresat se ajo, më në fund, do të zgjidhet në interes të të dy vendeve, në radhë të parë të Maqedonisë, pasi, kështu, kësaj të fundit do t’i hapet rruga për t’u anëtarësuar në NAT0 dhe të realizojë aspiratat e saj eurointegruese.

Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, diplomati i lartë i DASH-it, Miçell, do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheçerinska, etj. Sidoqoftë, Ministria e Jashtme maqedonase e konfirmoi vizitën e funksionarit diplomatik të lartë amerikan në Maqedoni, por pa dhënë hollësi të tjera për takimet e tij eventuale në Shkup. Miçelli që në këtë detyrë pason Viktoria Njulandin që luajti një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes politike të Përzhinos që i hapi rrugë, para më pak se një viti, zgjidhjes së krizës së thellë politike në Maqedoni, është takuar, tanimë, me shefin e diplomacisë maqedonase, Dimitrov, vitin e kaluar, në Uashington. Për diplomatin  e lartë amerikan, kjo është vizita e parë në Maqedoni dhe kjo vizitë zhvillohet në prag të vizitës, më 20 mars, në Shkup të shefit të diplomacise greke, Kocias, që pritet të diskutojë me mikpritësit e lartë maqedonas më hollësisht çështje të një marrëveshjeje eventuale mes të dy vendeve për emrin e Maqedonisë.

 

Serbia përballëpropozimeve të reja amerikane për Kosovën

 

Zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Ues Miçell, gjatë turneut të tij ballkanik, do të vizitojë, gjithashtu, Serbinë, ku, midis të tjerave, sikurse thuhet jozyrtarisht, ai do të diskutojë me mikpritësit e lartë serbë çështje lidhur me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Gazeta serbe, “Novosti”, shkruan se SHBA kanë përgatitur propozime të reja lidhur me përmirësimin e marrëdhenieve mes Serbisë e Kosovës dhe se këto propozime ai do t’i paraqëse në takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Gazeta e lartëpërmendur shkruan se propozimet e reja amerikane përmbajnë kërkesën që Serbia të mundësojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe, si kompensim, bashkësisë prej katër komunash në veri të Kosovës, me shumicë dërrmuese popullsie serbe, do t’i jepen kompetenca më të mëdha në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës, ndërkohë që zëvendëskryeministri serb i qeverisë së Kosovës do të ketë kompetenca që ta kontrollojë funksionimin e bashkësisë së sipërmendur. Po ashtu, Serbia do të marrë mbështetje për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, si edhe një mbështetje më madhe ekonomike, shkruan “Novosti”, duke vënë në dukje se propozimet e reja amerikane nga zyrtari i lartë i DASH-it do t’i paraqiten presidentit Aleksandër Vuçiç, si figura politike më e fortë në Serbi dhe se refuzimi eventual nga ana e tij të propozimeve në fjalë do të mund të çonte në bllokimin e eurointegrimit serb.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here