Tokat me ligjin 7501, formulari i ri për të marrë tapinë

Procesi i ndarjes së tokave bujqësore me ligjin 7501 mbetet një ndër më problematikët për sa i përket pajisjes së fermerëve me certifikata pronësie. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se 60% e tokave bujqësore vazhdojnë të jenë të paregjistruara dhe pa certifikata pronësie.

Por nga shkrirja e ish-komunave, procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë ka ndryshuar, pasi tashmë i gjithë procesi do të kryhet nga 61 bashkitë në vend. Procesi i marrjes së certifikatës së pronësisë është thjeshtësuar me vetëm tri dokumente. Për t’u pajisur me certifikata, fermeri i cili ka në dispozicion tokën, mjafton të shkojë pranë bashkisë përkatëse dhe të plotësojë një kërkesë për pajisjen me certifikatë pronësie. Me vete duhet të ketë aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP) dhe një certifikatë familjare.

Pas këtyre procedurave, fermeri do të njoftohet nga njësia administrative ku banon brenda 60 ditësh për t’i dorëzuar certifikatën e pronësisë. I gjithë procesi do të jetë falas dhe do të kryhet nga topografët dhe ekspertët e bashkisë, që do të bëjnë gati dhe planvendosjen e ngastrës dhe dokumentin përfundimtar.

 

Por në rast se fermerët nuk kanë aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, i shpërndarë me ligjin 7501, atëherë procedurat do të kryen sërish në sportelin e bashkisë. Fermeri duhet të shkojë pranë bashkisë, të bëjë kërkesën, si dhe të dorëzojë planvendosjen e ngastrës.

Gjithashtu, kërkohet certifikatë familjare sipas regjistrit të gjendjes civile të vitit ’91, dhe certifikatë familjare e vitit 1992. Po ashtu, banori i fshatit duhet të paraqesë aktin e marrjes së pronës në përdorim nëse e disponon, si dhe dokumentacionin që është përfitues i tokës bujqësore nga qendra e banimit. Pesë dokumente duhen, dhe në rast se fermeri është përfitues i tokës bujqësore si bashkëthemelues i ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Në këtë rast, veç kërkesës për t’u pajisur me certifikatë pronësie, kërkohet dokumentacioni kadastral ose hipotekor, i marrë nga arkivat apo gjyqet, që provon pronësinë mbi tokën bujqësore. Për këtë rast kërkohet planvendosje e ngastrës.

Certifikatë familjare të vitit 1945-1950 në momentin e dorëzimit të tokës bujqësore, shoqëruar me aktet e trashëgimisë. Po ashtu, dhe aktin e marrjes së pronës në përdorim, në rast se e disponon. Edhe për këtë rast, fermeri njoftohet nga bashkia në përmbyllje të procesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *