Afatet/ Pronat, çfarë do të bëhet me 12 mijë dosjet e pashqyrtuara

 

Ligji 133/2015 u miratua nga mazhoranca parlamentare me pretendimin se do t’i jepte ngërçit shumëvjeçar të titujve të pronësisë në Shqipëri një zgjidhje përfundimtare, të leverdisshme për shtetin dhe ish-pronarët, në përputhje me Konventën Evropianë të të Drejtave të Njeriut.

Pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias dhe “rregullimeve” që i bëri atij ligji Gjykata Kushtetuese, Agjencia e Trajtimit të Pronës e orientoi punën e saj sipas kërkesave të tij. Por, të paktën sa u takon afateve që parashikon ky akt, çështja është shumë larg zgjidhjes.

Në momentin e miratimit të ligjit, Agjencia kishte rreth 9.000 dosje të pashqyrtuara prej shumë vjetësh. Ndërkohë, 3.000 dosje të tjera me kërkesa nga ish-pronarët u shtuan për shkak të zgjatjes së afatit të paraqitjes së kërkesave. Dy vjet pas miratimit të ligjit, Agjencia nuk ka shqyrtuar në themel asnjë prej këtyre dosjeve.

Nga ana tjetër, sipas Nenit 15 të ligjit 133/2015, vlerësimi financiar i vendimeve për kompensim të ish-pronarëve do të përfundonte brenda tre vjetëve. Agjencia ka publikuar aktualisht rreth 26.000 vendime për kompensim, ndërkohë që po zvarrit dhënien e vendimeve për rreth 12.000 aplikime të tjera, që vazhdojnë të rrinë pa u shqyrtuar prej shumë vitesh.

Deri tani, dy vjet pas miratimit të ligjit janë shqyrtuar më pak se gjysma e 26.000 vendimeve të publikuara dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë vlerësimin financiar. Agjencia ka ngritur problemin se, për vendimet pa vlerësim financiar, ka mungesa të dokumentave në dosjet përkatëse. Por, me këtë ritëm, Agjencia do jetë në gjendje të plotësojë vlerësimin financiar shumë vjet jashtë afatit të përcaktuar në ligj.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.766, datë 20 dhjetor 2017, dalë në zbatim të këtij ligji, qeveria ka përcaktuar si formë prioritare kompensimin fizik të ish-pronarëve. Ky ndryshim, në fakt, është në kundërshtim me Nenin 8, Pika 1, të ligjit nr.133/2015, i cili, në të kundërt, përcakton kompensimin financiar si prioritar. Megjithatë, qeveria shqiptare duket se nuk është në gjendje që të realizojë as kompensimin fizik të pronarëve.

Kështu, në dispozicion të ATP është caktuar prej vitesh një fond toke, me të cilin do të ulej shumë shpenzimi nga buxheti i shtetit për kompensimin e ish-pronarëve, pasi vlera e këtyre tokave do të zbritej nga detyrimi ligjor i shtetit.

Por çfarë ka ndodhur? Rezulton që qeveria ka hequr nga fondi i Agjencisë ndërkohë 18.076 hektarë tokë, duke ia transferuar atë për administrim Ministrinë e Bujqësisë për qëllime të tjera. Po kështu, qeveria ka aplikuar dhënien me qera për minimum 20 vjet me vlerë praktikisht falas (1 euro) të shumë pronave. Këto prona, aktualisht të shtetit, nuk u janë ofruar më parë ish-pronarëve për efekt kompensimi fizik.

Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se do të përdorë për kompensimin fizik edhe toka e ndërtesa, të cilat formalisht janë të regjistruara si prona shtetërore. Por, këtu po ndodh një kaos i vërtetë: autoritetet lokale nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse këto prona janë efektivisht të lira nga posedime të paligjshme, janë në proces legalizimi, apo janë në proces shqyrtimi nga Agjencia, etj. Për këtë arsye, edhe pas miratimit të ligjit nr.133/2015, kompensimi fizik i pronarëve vazhdon të jetë inekzistent.

Për kompensimin financiar, gjithashtu ka pengesa të pafundme. Sipas Plan Veprimit që i ka paraqitur Gjykatës Europiane dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, qeveria shqiptare është angazhuar që, sipas kërkesave të ligjit të ri nr.133/2015, procesi i kompensimit të pronarëve të përfundojë brenda 10 viteve.

Qeveria përcaktoi fondin financiar 50 miliardë lekë për kompensimin e pronarëve dhe, në shtojcën 2 të ligjit, ka përcaktuar edhe fondin financiar të çdo viti. Për dy vitet e para (2016-2017) fondi financiar ka qenë në shumën 6.33 miliardë lekë, por ky fond është përdorur vetëm pjesërisht për kompensimin e pronarëve sipas ligjit 133/2015, pasi nje pjesë e konsiderueshme e tij është përdorur për kompensimin e pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *