Zëvendesministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, ka prezantuar ditën e premte skemën e re të ndihmës ekonomike.

Ndryshimet në skemë prekin si kriteret, ashtu edhe mënyrën se si vlerësohen dhe përzgjidhen aplikantët. Kospiri njoftoi se një nga kriteret që penalizonin përfituesit, si ndryshimi i vendbanimit, është hequr.

Por risia e kësaj skeme të re është sistemi elektronik, i cili bën të mundur eliminimin e abuzimeve.

“Sistemi i ri është transparent. Kjo skemë funksionon përmes regjistrit elektronik, i cili duke qenë i lidhur me të gjitha sistemet online të tatimeve, të zyrës së punësimit, të hipotekave, drejtorisë së transportit, sigurimeve shoqërore, etj., eliminon abuzuesit, të cilët deri dje përfitonin pa të drejtë pagesën e ndihmës ekonomike dhe rritje artificialisht numri i përfituesve, duke bërë që fondi të copëtohej në shuma të papërfillshme për familjet në nevojë”, tha Kospiri.

Më tej, zëvendësministrja denoncoi disa raste konkrete të abuzimeve, të zbuluara nga regjistri elektronik. Ndër abuzimet përfshihej përfitimi duke qenë të punësuar, duke patur familjarë të punësuar, duke patur biznes privat, apo duke zotëruar prona dhe automjete.

Kospiri u shpreh se raste të tilla abuzimi ishin me mijëra, ndërsa rishpërndarja e fondeve ka bërë që familjet të marrin ndihmë ekonomike deri në 8 mijë lekë në muaj. Gjithashtu me skemën e re është hequr ndihma e pjesshme dhe ka vetëm ndihmë ekonomike të plotë.

Sa u takon familjeve në nevojë që nuk arrijnë të kualifikohen për këtë skemë, përmes rivlerësimit ato rikthehen si pjesë e skemës duke aplikuar në bashkitë përkatëse.

“Të gjitha bashkive u është dhënë një fond prej 6% të fondit të ndihmës ekonomike për të mbështetur pikërisht këto familje që nuk plotësuan kriteret për t’u futur në sistem. Ndaj i drejtohemi çdo familjeje që nuk ka fituar në këtë fazë, por që realisht është në nevojë, të paraqiten menjëherë për aplikim pranë bashkive”, tha Kospiri.

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë lidhur me skemën e re për ndihmën ekonomike, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë përjashtuar të gjithë abuzuesit.

PD e cilëson këtë një mënyrë abuzive të qeverisë për të hequr nga skena e ndihmës ekonomike 20 mijë familje në nevojë, me qëllimin që t’i përdorë për zgjedhjet e ardhshme.

Përmes deputetes Albana Vokshi, PD i kërkon qeverisë të bëjë transparencë për heqjen e ndihmës ekonomike, me pretendimin se janë hequr familjet në varfëri ekstreme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here