Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ishte dje  në një seancë dëgjimore në komisionin për Integrimin Europian, ku u pyet nga deputetët për zbatimin dhe ecurinë e prioriteteve 2-3-5 të Komisionit Europian.

E pyetur për koston 2 miliardë dollarëshe nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut ndaj shtetit shqiptar, ministrja Gjonaj tha se kosto ekziston për sa kohë vendi ynë është pjesë e Gjykatës Europiane.

“Nuk kemi vlerësim nga Gjykata Europiane”, iu përgjigj pyetjes së një deputeti ministrja. Më herët, ka qenë kreu i grupit parlamentar të LSI-së  që ka folur për koston e shtetit. Ndërsa për numrin e vendimeve të trajtuara nga Agjencia e Pronave në këto pesë vite, ministrja tha se ligji aktualisht është pezulluar dhe agjencia nuk ka marrë vendime. Por deri tani janë dhënë 26 mijë vendime për kompensim, 10 mijë prej të cilave në pesë vitet e fundit.

Në fakt, janë dhjetëra dosje që janë stokuar tashmë në Gjykatën e Strasburgut, që presin vendimin. Deri tani çështje e pronave nga Shqipëria janë trajtuar sipas një vendimi të unifikuar” Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që e ka ngarkuar buxhetin me detyrime marramendëse.Ligji i ri për pronat, thelbi i të cilit është pagesa e tokave sipas kategorisë që kishin kur u shtetëzuan dhe jo sipas kategorisë aktuale, përfundoi në Kushtetuese, e cila e rrëzoi pjesërisht atë, por ndërkohë procesi nuk duket se po ecën mbarë. Kohët e fundit, në përputhje me këtë ligj, kanë filluar edhe pagesat e rasteve të veçanta, ku ish-pronarët mund të heqin dorë vullnetarisht nga një përqindje e caktuar e dëmshpërblimit, në favor të pagesës me këste të përshpejtuara të pjesës së mbetur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here