Vetëvritet në qeli shqiptari në Kretë

Një shtetas shqiptar 53-vjeçar ka zgjedhur t’i japë fund jetës së tij, në një rajon policor në qytezën Kisamo të Kretës. Sipas policisë lokale, 53-vjeçari u gjet prej policëve në qelinë ku mbahej për t’u deportuar drejt Shqipërisë, pasi nuk kishte leje qëndrimi në Greqi.

Nga sa mësohet, 53-vjeçari i identifikuar si Sami Karoshi nga Peshkopia dhe banues në Tiranë, u vetëvar me një batanije të lidhur në kangjellat e birucës.

Policët që e gjetën thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00-03:00 të mëngjesit të së premtes, kohë gjatë së cilës ishin kryer kontrollet në qelitë ku mbahen të ndaluarit në këtë rajon.

Ai u dërgua në spital, por mjekët thanë se nuk mund të bënin asgjë për ta shpëtuar. Trupi i tij u dërgua në Morgun e Spitalit të Haniasë për ekzaminim mjekoligjor, për të saktësuar shkaqet e vdekjes. Prej ekzaminimit të parë nuk rezulton se ndaj tij të jetë ushtruar dhunë fizike.

Mësohet se viktima Sami Karoshi mbahej prej 6 ditësh në rajonin e Kisamos në ishullin e Kretës. Ai kishte punuar për më shumë se 6 muaj me një kontratë të përkohshme pune, e pak pasi kontrata kishte përfunduar, ai ishte ndaluar prej agjentëve gjatë një kontrolli rutinë.

Ai banonte në një dhomë të siguruar prej punëdhënësit të tij, e sipas shqiptarëve që banojnë në këtë ishull, kohët e fundit nuk shoqërohej me askënd. Ai është baba i 4 vajzave, ndërsa familja Karoshi në Shqipëri jeton në varfëri ekstreme.

Për transportimin e trupit drejt atdheut, ku dhe do të prehet, shoqatat e shqiptarëve të Kretës kanë nisur një fushatë për të siguruar paratë e nevojshme. Aktivistja shqiptare Fotini Meta, e cila banon në këtë zonë, bëri apel për mbledhjen e parave për dërgimin e trupit të viktimës në atdhe.

Ngjarja e vetëvrasjes së viktimës Sami Karoshi bëri xhiron e medieve vendase, të cilat thonë se varfëria ekstreme dhe frika e deportimit e detyruan viktimën t’i japë fund jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *