Nga Faik Islami*

Ndoqa, me shumë interes bisedën e Z.Rama, në Universitetin Bujqsor. Posaçërisht ato çka ai foli, për ardhmërinë e bujqësisë, dëgjuar prej studentëve, të cilët përgatiten të dalin kuadro të një bujqësie….katandisur si kjo e jona, sot e njëzeteshtatë vite njëherësh, për ta rilindur natyrisht, sjelljet e vjetra që katandisën bujqësinë në gjendjen kur ajo jep në këto vite diku tek 22 -24 përqind të GDP- së , nuk ndryshojnë me vullnet lideri, qofte ai edhe Edi Rama..E një vendi krejtësisht agrar, ca shumë më pakë! ! Mbase prej kësaj gjendjeje, unë kam shpresuar se “ Rilindja” që këtej do ta niste udhëtimin. Sepse kam bindjen e patundur se cilado qeverisje, për t’u konsideruar punëmbarë, nga rilindja e bujqësisë
duhet t’ia nisë një ditë. Sa më e largët të jetë ajo ditë, aq gjatë vuajtjet e varfëria do të jenë prezente. Nuk e pati shansin e madh, në katër vitet e shkuara, sepse bujqësine e pati tjetër forcë dhe e udhëhoqi kuturu e me synimin e shtimit të anëtarësisë së partisë, nëpërmjet donacioneve korruptive në të gjithë shumën edhe ashtu simbolike që merrte prej vitesh, ajo forca që e pati. Ku ishte drejtuesi i saj, një ministër, që u tregua krejtësisht i paaftë për të iniciuar atë reformë rrënjësore, së pari konceptuale, për të cilën e ka qysh në krye të herës, nevojë urgjente bujqësia shqiptare? Por ecuria duket se do të jetë po e njëllojtë, meqë asgjë nuk është kuptuar, pse bujqësia, toka arë e shqiptarëve, sistemi agrar i aplikueshëm, nuk po jep më shumë ose as sa gjysmën e produkteve që jepte para viteve nëntëdhjetë. Kjo gjë është pritur nga gjithë qeverisjet e këtyre viteve. Asgjë nuk kanë kuptuar qeverisësit të cilët , duke qenë profanë nga kjo fushë, kanë kujtuar se dhe me pak dije e ca donacione (mjerane), ecën bujqësia e …” Fermerëve”!
Pak a shumë në këtë ide po flet edhe Edi Rama, kryeministri i vendit, kur u sugjeroi kuadrove të ardhshëm të bujqësisë, si “ konsulentë “ të nesërm të fermerëve, t’i ndihmojnë ata të bëjnë projekte për të përfituar, (të zestë fermerë) donacione.” Ama, ta dinë ku do t’i shpien prodhimet se ndryshe… Le t’i hanë vetë, si korçarët kumpirat …” –u tha ai studentëve !!
Të ngrihet e trajtohet kështu problemi i katandisjes së bujqësisë , aq me nivele moderne tekniko-shkencore, sa e gjeti viti nëntëdhjetë, ose viti i nisjes së katastrofës së saj, mbetet një guxim jashtëzakonisht i madh, para një njeriu të shkencës a të një bujku me përvojë , që i kanë njohur më së miri tokat ara të vendit, potencialet e saj.
Bujqësia është mbi të gjitha kulturë. Është kultura më e parë e njerëzimit, dhe ka ardhur në shekuj jo në bjerrje, por në rritje, në perfeksionim. Sepse në ditët e sotme ajo është e gjitha shkencë e aplikuar. Është shkencë gjithenjë në kërkim, në aplikim dhe ekonomi, në kushtet e një ekonomie tregu, që sa vjen e bëhet shumë më agresive, për shkak të konkruences. Qeverisjet nuk janë e s’mund të jenë vëzhguese dhe as dorovitëse, me ca donacione, që nuk bazohen absolutisht në asnjë parametër shkencor. Përse, fjala vjen,  fermerit Ruzhdi apo atij Meleq a Raqi, i
jepen donacion aqë apo kaq lekë, nëpërmjet një dokumentacioni tmerrësisht korruptiv, kur shumat e ofruara si donacione kurrë s’mjaftonin për një projekt të hartuar aty për aty, pa le më projekt shkencor të mirfilltë. AZHBR-ja si organizëm funksionues i derisotme , krahasuar me paratë e “ dhëna” letrave, ka patur efektin më të turpshëm, krahasuar me cilëndo agjenci donacionesh te vendit me të prapambetur të Afrikës.
Duke parë se vijon ky lloj mentaliteti, përballë këndvështrimit  problematik e kaq dramatik të shpresës së rinisë shqiptare për prosperitet e punësim, me fare pak ndryshime në formë, pasi në përmbajtje jemi po tek mentaliteti i të famshmeve donacione, fjala e kryeministrit nuk ngjalli shpresën se më në fund diçka është marrë vesh, dreqi e mori, se gjendja do të ndryshojë. Natyrisht, si fillim për mirë! Sepse anëembanë botës ka një sërë treguesish, gjithnjë në rritje, që pa përjashtim, i bëjnë qeverisjet të mendojnë se po i vjen fundi atij sistemi të madh të “ marrëzive” brenda sistemit bipolar, të renditjes së kategorive , me të cilat politika e gjithë këtyre viteve me “ tranzicion absurd” ka ndarë në fronte armiqësore, politikanët qeverisës, me një diagramë shumë të qartë. Natyrisht, zakonet e vjetra nuk vdesin lehtë. Ama e mira, e përparuara, varroset thellë prej injorancës.
Nuk mund të shërbejë si ogur për bujqësinë kur specialistëve, kuadrove, që do të duhet të aplikojnë në prodhim dijet e shkencës, të viteve dymijëenjëzet, të jenë konsulentë të ca fermerëve të paditur, për ato dije të përpilojnë “ projekte “ për të marrë fonde. Bujqësia kërkon projekte të mirëfillta integrale, të përpiluara dhe të udhëhequra nga ata specialistë që kryeministri i “ emërtoi konsulentë. Me projekte integrale, shmanget dhe lehtësohen edhe korçarët, prej hallit të madh të anoreksisë, prej vakteve të shumta me ….kumpira! Pasi ato mundet t’u gjendet tregu, qysh në fazat e projektimit, mbase mund të programohen të bëhen patatina, apo do mbillen aq sa të hanë shqiptarët, duke i ndarë me korçarët apo kuksianët etj..!
Por të reklamohet si ecuri e bujqësise moderne një stallë me dhi, që ndukin kashtë të tharë, kur dhia që nga koha e “ Varkës së Noes “, pati një degë me gjethe, nuk mund të justifikohet, as me ndonjë rracë të importuar të regjimeve stallore, sepse pamëdyshje edhe ato nuk i shkelin me këmbë gjethet! Ca më e papranushme kur konsiderohet kontribut i madh i shtetit, i ministrisë së bujqësisë, shënimi në vesh i dhive e kecave!
Bujqësia ka një sërë hallesh e problemesh, prej të cilave asnjeri, absolutisht asnjeri, nuk është prekur deri sot. Se asnjëherë në këto vite nuk është tërhequr mendimi, nuk është thirrur shkenca për ta bërë ajo dhe vetëm ajo doktrinën zhvillimore të bujqësisë shqiptare, që në po kaq vite ka ecur vetëm kuturu e pa bosht! Ndaj lipset doktrina, ku nëpërmjet një reforme të thellë , me projekte të mirfillta integrale, , të paraprijë ekonominë e vendit. Shkurt, ku bujqësia jonë të arrijë të japë jo kaq, por mbi dyzet përqind të GDP – së! A janë ato mundësi? Për mua absolutisht po dhe për një kohë
të shkurtër. Por,nëse po merr këtë vit nëntëdhjetë milionë donacione është një pesë me hiç para nevojave të mëdha të projekteve zhvillimorë integralë. Por .. … Eshtë shkenca ajo që duhet ta thotë …! Ajo dhe vetëm ajo duhet të flasë për bujqësinë. Shqipëria ka një thesar shkence, që mërzen dosjeve të ish Institutit (që e shkatërruan injorantët) në Fush – Krujë …Shqipëria ka shkencëtarë të mirëfilltë bujqësie. Mënçuria e qeverisësve duket kur i mobilizon ata në përpilimin e Doktrinave zhvillimore !

*Ish bashkëpunëtor shkencor


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here