Ministria e Bujqësisë ka formuluar një projektligj të ri për “Ushqimin” nëpërmjet të cilit synon që rrisë kontrollin në të gjithë hallkat e zinxhirit nga prodhimi tek konsumatori.

Në relacionin përkatës sqarohet se, sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesave të konsumatorit është një nga prioritetet kryesore në programin politik të qeverisë shqiptare. Një politikë efikase e sigurisë ushqimore duhet të njohë natyrën komplekse të prodhimit të këtyre ushqimeve, si dhe vlerësimin e monitorimit të risqeve mbi shëndetin e njerëzve.

Shembujt e viteve të fundit në Europë si ajo e BSE (sëmundja e lopës së çmendur), gripi i shpendëve dhe dioksina, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e popullatës por dhe shkaktojnë dëme nga pikëpamja ekonomike tregtare, kanë treguar se zinxhiri i prodhimit ushqimor po bëhet gjithnjë e më kompleks.

Ministria e Bujqësisë sqaron se ky projektligj përmirëson disa dispozita të paqarta në ligjin aktual, nisur edhe nga praktika e krijuar dhe problemet e dala gjatë zbatimit të tij. Drafti është përqendruar kryesisht në përmirësimin e dispozitave lidhur me procesin e “analizës së riskut” dhe ndarjen e kompetencave ndërmjet Ministrisë dhe AKU-së në lidhje me këtë proces. Me qëllim që të reduktohet, eliminohet ose parandalohet një risk për shëndetin, tre komponentë ndërthuren në analizimin e riskut,– vlerësimi i riskut, menaxhimi i riskut dhe komunikimi i riskut – që sigurojnë një metodologji për përcaktimin e masave efektive, proporcionale dhe qëllimit (ku duhet të arrihet) ose veprimeve të tjera për mbrojtjen e Shëndetit.

Me qëllim që këto të bëhen në baza shkencore në ligjin e ushqimit, vlerësimi i riskut do të bëhet në mënyrë të pavarur, objektive dhe transparente, në bazë të të dhënave dhe informacionit shkencor të vlefshëm. Dispozitat lidhur me kontrollin zyrtar janë riformuluar dhe janë plotësuar me tre nene shtesë.

Riformulimi sjell një përafrim më të mirë me acquis communautaire për sa i përket objektit të kontrollit, veprimtarive, teknikave dhe metodave të kontrollit. Riformulimet e neneve kanë synuar hedhjen e një hapi përpara në drejtim të legjislacionit europian.

Më tej, janë riformuluar dhe grupuar në koherencë me njëra-tjetrën dispozitat lidhur me instrumentet (masat) në dispozicion të AKU-së për sigurinë ushqimore. Këto masa janë gjithashtu riformuluar në përqasje me ligjin e inspektimit dhe janë grupuar njëra pas tjetrës (në ligjin aktual ishin të shpërndara në krerë të ndryshëm dhe jo të plota) për të dhënë të plota hapat që duhen ndërmarrë gjatë marrjes së masave të kontrollit zyrtar.

Dispozitat lidhur me organizimin dhe funksionimin e AKU-së janë riformuluar dhe qartësuar me tej. Ndryshimet më të rëndësishme janë ato në lidhje me heqjen e dispozitave të cilat parashikojnë ngritjen dhe funksionimin e Bordit pranë AKU-së. Bordi i AKU-së, me kompetencat e dhëna në ligjin aktual, përbën një strukturë këshillimore inaktive, me detyra të cilat shpeshherë dublojnë funksionet politikëbërëse të Ministrisë.

Për më tepër, kjo strukturë nuk përputhet me modelin e AKU-së, si një institucion qendror dhe unik për sigurinë ushqimore i pajisur nga ligji me kompetenca të qarta. Sipas këtij modeli, është më funksionale që AKU të ketë një organizim vertikal me vartësi të drejtpërdrejtë nga Ministri.

Rregullimet e bëra me anë ë këtij projektligji synojnë të pasqyrojnë, si në lidhje me statusin ashtu edhe me funksionet e AKU-së, konsolidimin e saj si autoriteti inspektues më i lartë në fushën e sigurisë ushqimore si dhe të gjithë hapësirës së fushëveprimit të Ministrisë.

Çdo stabiliment i licencuar identifikohet me një numër unik identifikimi për qëllimet e sigurisë ushqimore dhe e shënon atë në etiketë, në shenjat e tjera të barazvlefshme dhe në dokumentacionin shoqërues të ushqimit që prodhojnë apo përpunojnë.

Neni 13 ndryshon nenin 25 në lidhje me kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimeve. Ky nen përcakton informacionin e nevojshëm për gjurmushmërinë, si dhe ruajtjen e këtyre të dhënave jo më pak se 3 vjet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here