Ç’orientohet tregu; Euro dhe dollari në rënie edhe dje në tregun e brendshëm, ja arsyet

0
138

Euro ka shënuar rënie edhe gjatë ditës së djeshme në tregun vendas, ndonëse në bursa ai është në rritje për të dytën ditë radhazi.

Sipas kursit kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 132.83 lekë, me një rënie prej 0.08 lekësh në krahasim me një ditë më parë, në nivelin më të ulët që nga 27 dhjetori. Kjo është e 11-a ditë radhazi që euro vetëm nënçmohet, periudha më e gjatë me rënie që nga qershori i vitit të kaluar, kur oferta për valutë në atë kohë çoi monedhën e përbashkët në pikiatë.

Në rënie më të fortë ka qenë dhe dollari, i cili luan rolin e stabilizatorit me raportet e këmbimit në tregjet ndërkombëtare. Një dollar u këmbye me 104.49 lekë, me një nënçmim prej 0.25 lekësh, duke u luhatur afër nivelit më të ulët të katër viteve.

Çfarë po ndodh?!

Euro u këmbye dje në bursa me 1.234 dollarë, me një rritje të lehtë nga një ditë më parë, ndërsa afër nivelit më të lartë të tre viteve. Si rrjedhojë, luhatjet e euros në tregun vendas nuk shpjegohen me ndryshimet në bursa.

“Shqipëria është anticiklike”, thotë Ilirian Ligaçaj, drejtor i thesarit në Union Bank. Ai thotë se nuk ka një arse të saktë se çfarë po ndodh në tregun e brendshëm, i cili që prej verës së vitit të kaluar ishte stabilizuar në nivelin e 133-134 lekëve.

Faktorët kryesorë që ndikojnë lidhen me kërkesën dhe ofertën. Oferta, sipas Ligaçaj vijon të jetë e lartë, ndërsa kërkesa është e dobët. Tregu valutor është relativisht i vogël, si rrjedhojë edhe kërkesa e 2 apo tre kompanive mund ta ndikojë atë.

Lidhur me ofertën ajo është e vështirë të vlerësohet dhe matet nga të dhënat zyrtare, pasi ka shumë hyrje të padeklaruar.

Ligaçaj nuk mohon as efektin psikologjik të fushatës së de-euroizimit që ka ndërmarre Banka e Shqipërisë. “Tregu pak do për t’u çorientuar”, pohoi ai, ndonëse efekti real nuk do të ndihet që tani.

Bankat do të fillojnë të papapërgatiten, pasi efekti nuk do të jetë i vogël dhe masat e ndërmarra do të ndryshojnë edhe situatën e likuiditetit në monedha të ndryshme.

Një tjetër efekt psikologjik lidhet me faktin që individët, duke pritur që euro të zhvlerësohet më tej, do të nxitojnë të këmbejnë monedhën e përbashkët sa më shpejt, në mënyrë që të mos humbin nga zhvlerësimi.

Ekspertët parashikojnë që trendi i forcimit të euros të jetë i ngadaltë dhe i qëndrueshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here