Pronat në Tiranë – Portofoli i kredisë, më shumë se 520 milionë euro

0
85

Sistemi bankar ka financuar blerjet në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë me rreth 520 milionë euro kredi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2017 portofoli i kredisë për blerje banesash në Tiranë arriti në 70.2 miliardë lekë.

Gjatë një viti, portofoli u zgjerua me rreth 2.8 miliardë lekë ose 21 milionë euro. Kjo shifër duket se shpjegon, pjesërisht, gjallërimin e ndjeshëm të tregut të pasurive të paluajtshme në kryeqytet.

Zhbllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë nisjen e shumë ndërtimeve të reja, ndërsa agjentët e shitjeve dëshmojnë për rritje të kërkesës, si edhe të çmimeve në shumicën e zonave. Lehtësimi i kushteve të kredisë hipotekare, normat e ulëta të interesit si edhe skema e subvencionit të interesave nga Bashkia Tiranë i kanë dhënë një shtysë tregut.

Sidoqoftë, portofoli aktual i kredisë bankare është larg të qenit mbështetja kryesore e tregut të pasurive të paluajtshme në Tiranë, treg i fryrë sidomos nga investimi i parave të fituara përmes aktiviteteve të paligjshme, si edhe nga remitancat.

Statistikat demografike tregojnë se kërkesa për banim në Tiranë ngelet në rritje. Sipas Instat, vetëm për vitin e kaluar popullsia e Tiranës u shtua me afro 22 mijë banorë. Rritja e popullsisë ushqen kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme, por edhe në tregun e kredisë bankare.

Për nëntë muajt e parë të vitit të kaluar në Tiranë u dhanë 167 leje për ndërtesa të reja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here