Politika shqiptare “mbytet” në detin Jon – Nga Behar GJOKA

0
83

Nga Behar GJOKA

Temë e ditës, prej kaq kohësh, e shoqëruar me mëllef, sharje, mashtrime dhe hipokrizi, të vërteta dhe hipoteza, është tema e Detit, që shitet dhe blihet, sa herë ka nevojë politika. Qeveria, me gjithë faktorët e vetë, ku veçohet “heshtja” diplomatike e ministrit të përjashtëm, dhe ‘’ligjërimi” më i qartë i Kryeminsitrit, që ngre siparin e bisedimeve të zhvilluara për marrëveshjen e re për detin. Në anën tjetër, në Greqi, zyrtarët dhe media, uluret dhe gëzohet se po arrihet një marrëveshje historike me Shqipërinë për detin. Ndërsa opozita, e zënë me punëra më të rëndësishme (nuk di a ka temë më të madhe se sa cënimi i territorit), hesht dhe ka marrë kodrat dhe malet, për zullumet e shumta që ka kryer dhe po kryen secilën ditë mazhorancës. Jo për të qenë të qartë, se as ata që e kanë kavërdisur këtë “çorbë”, politika shqiptare e gjithë krahëve, nuk e dinë se çfarë gjelle është, por vetëmsa po shprehemi, për situatën e mungesës e transparencës, përmbi këtë temë, më përtej fasadës që deklarohet në “kazanin” mediatik. Urojmë që të mos jetë “çorbë” që ka lidhje me kallaisjen e tepsisë së pushtetit! Po kaq, ne si popull, trim e mentar, pas betjes dhe kuvendit, të zënë me hallet tona, të indiferencës, deri në fikje, të opinionit qytetar, për këtë çështje të një ndjeshmërie, që nuk ka pronar dhe kumandar, presim se mos pikërron zgjidhja prej qiellit. Atdheu dhe kombi nuk ka pronar, sepse hipotekat e tyre, janë në mendjen dhe zemrën e bashkëkombasve, që janë mbytur në varfëri dhe dëshpërimin se ky vend nuk bëhet, që të mos ia hamë hakën, politika ka merita të veçanta, për të mendura, ikjen nga sytë-këmbët. Politika dhe qeveria, të zënur me ethet e mbajtjes dhe marrjes së pushtetit, aq më tepër që janë vetë “guzhinier” të këtij bagërdani, mërmërisin me vete, të gremisur në ethet e politikës së ditës. Pse hesht opozita? E dimë përgjigjen, por vetëmsa për kujtesë, po themi se në vitin 2009 kur qe në pushtet, negocioi për detin me grekët, në bazë të parimi të 6 miljeve! Me të drejtë, pozita e sotme, dje në opozitë, lëshoi alarmin, e dërgoi në gjykatën kushtetuese. Dhe nuk u arrit marrëveshja, deti nuk u bë pazar, për hir të pushtetit. Pse flet pozita me kaq siguri? Pasi është endur “politika e zero problemeve” me fqinjët, ndërkohë që ata kanë shumë, madje oreksi i tyre vjen duke ngrënë, orë e çast. Kërkesat e tyre, vetëmsa do të shtohen, sikur të negociohet edhe për bregdetin. Rimarrja e negociatave të detit, madje po flitet për një marrëveshje historike të marrëdhënieve, e cila po duket në horizont, në mos janë në proces, në mos janë bërë gati për firmë. Parimi i propozuar nga qeveria është më 12 milje! Pra, për 6 milje, në 2009 ishte tradhëti, e për 12 milje, tani në 2018, është diplomaci dhe mençuri! Merifetet e politikës, për të folur me shifra, sa kanë për borxh, të bëjnë detin e kos, e kosin lum për hidrocentrale, në këtë Shqipërinë tonë halleshumë, nuk paskanë të sosur. Mjeshtria e fshehjes së mendimit prapa teknikaliteteve, që as vetë nuk i marrin vesh, krijoi tymnajë dhe kakofoni, përgjigjesh dhe mërmërimash, e deti ngre valët, si për ditë dimri, pak më lartuar se në zhegun e vapës. Shifrat, janë si gjethe fiku, për të mbuluar, pikësynimet e qarta politike, vetëm që të garantohet vota e Greqisë, për hapjen e negociatave. Edhe në 2009, ku flitej për detin, në qendër të vëmendjes së pushtetit, ishte vota për të hapur negociatat me Europën. Në vend të parimit “Zero” duhej marrë në konsideratë parimi i reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë. Jo për hir të politikës, po për hir të dinjitetit njerëzor, duhet të bëhet e ditur, çfarë u bisedua dhe çfarë është vendosur. Të negociosh për detin, vetëm për të marrë votën greke për të hapur negociatat, formalisht duket në rregull, por harrohet se dikush tjetër, vë vetonë për “detyrat e shtëpisë” të lëna me kohë, për politkanët shqiptarë, e përsri mbetemi me gisht në gojë. Nëse bie ligji i luftës, një ligj që mbahet në këmbë, prej luftës Italo-greke, të zhvilluar në trojet shqiptare, ku shqiptarët, herë me njërin, e herë me tjetrin, janë vetë viktima të asaj lufte. Të negociosh për detin, vetëm për këtë ligj, që tregon atavizmin e politikës së fqinjit jugor, është lëshim, për nevoja që duhet të bëhen transprente. Të negociosh për detin, dhe të vijosh politikën e lëshimeve të Berishës për varrezat greke, madje duke shkuar më tej, në emërtimin e tyre, si Varreza Historike, e kapërcen logjikën formale. Të negociosh për detin dhe të harrosh çështjen çame, nuk i gjendet emri. Pavarësisht lëshimeve për detin, presidenti i fqinjit jugor, lëshon tymuese, sikur po flet me komunarët e shtetit të vetë… Çamëria ende kullon gjak, gjë që e dinë edhe zyrtarët grekë, por u lëverdisë që ta lënë në shurdhëri dhe memecëri. Të jetë e qartë për ne si shqiptarë, për politikën dhe çdo politikanë shqiptarë, se nuk ka det që ta lajë padrejtësinë e kryer mbi banorët e Çamërisë. As varret e të parëve nuk kanë të drejtë t’i shohin! Flet pozita, krejt e sigurtë, sepse gjykata kushtetuese, nuk ka mundësi të mblidhet, e prandaj politika shqiptare, pozitë dhe opozitë, në heshtje, e kryen misionin, i dhanë të drejtën e ndarjes së detit, duke fituar një ligj, nëse do të ndodh realisht, që nuk ka të bëjë me qytetërimin grek të lashëtësisë. Nuk duhet harruar porosia e Faik Konicës: Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897), kur ulesh në bisedime me to. Nuk është e keqja të marrëveshja për detin, por te ngulmimi që për të marrë votën për hapjen e negociatave, politika shqiptare, më tepër po kridhet në ujë, e Deti Jon është i thellë, e po u zhyte “mbytesh” në valët e tij, e nuk mbërin të mbulosh paaftësinë e politikës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here