Nga Bled KOMINI

Teksa të gjithë pyesin nëse do të ketë vend apo jo për Ballkanin në BE, një pyetje po kaq e rëndësishme shtrohet në antitezë: a ka vend për BE-në në Ballkan?

Fakti është se përpjekjet e Ballkanit për t’u anëtarësuar në BE janë shumë të hershme, e nisin që pas periudhës së rënies së “perdes së hekurt”. Por atëkohë, Unioni më shumë po mundohej të zgjerohej me shtete më të mëdha e më të rëndësishme sesa vendet e vogla ballkanike. Në plan të parë të post-periudhës së “perdes hekurt” ishte jo vetëm bashkimi i dy Gjermanive, por sigurisht edhe rehabilitimi i vendeve të ish-bllokut komunist. Për këtë arsye, fuqi dhe energji të mëdha u shpenzuan në këtë drejtim dhe andej nga fillimi i viteve 2000 rezultatet e para të zgjerimit erdhën. Nga Estonia e deri në Maltë e Qipron greke, BE u zgjerua dhe përfshiu pjesën kryesore të shteteve të Evropës Qendrore, Lindore e Jugore.

Megjithatë procesi i zgjerimit të BE-së nuk ishte aq i thjeshtë pasi secili shtet kishte specifikat e veta. E kështu, sidomos pas luftërave ballkanike të fillim viteve ‘90, por dhe atyre të dhjetë viteve më pas në Maqedoni, situata në Gadishullin Ballkanik u bë komplekse. E si për t’i shtuar edhe më tej vështirësitë në proceset integruese, kriza ekonomike e viteve 2008-2009 që përfshiu tregun bankar e financiar, e stepi BE për të vijuar procesin e zgjerimit të saj drejt Ballkanit.

Përballja mes “eurocentristëve” që kërkonin të mbanin për vete të mirat e arrituara dhe atyre që mund të radhiteshin në anën e “reformistëve” që kërkonin një zgjerim të mëtejshëm, u bë normë e debateve dhe lajmeve të ditës si në Bruksel ashtu dhe në kryeqytetet e Evropës.

Ndërsa Brukseli kthehej në epiqendër përplasjesh e debatesh politike mbi të ardhmen e Evropës, Ballkani dalëngadalë po e humbiste busullën e tij evropianiste. Tashmë re të zeza po shfaqeshin për shtetet e dobëta ekonomikisht. Ariu rus ishte zgjuar nga gjumi, e pas reperkusionit në Gjeorgji e Ukrainë, nisi ta shoh Ballkanin si një hallkë të dobët të BE-së; si një urë tranziti për botën e nëndheshme të financave e investimeve të zeza të oligarkëve të saj. Vendet e trazuara e pa stabilitet mund të ishin ose ktheheshin në një parajsë investimesh, për të pastruar fitimet e paligjshme të tyre . Fillimisht investimet vërshuan në republikën e vogël të Malit të Zi e më pas në Kroaci, Bullgari e Serbi. Duke blerë prona të patundshme, duke investuar në shoqëri aksionere apo duke hapur biznese e blerë resorte turistike.

Kështu, mafia ruse përfitoi nga korrupsioni dhe ryshfeti që të përhapej shumë shpejt në pjesën më të madhe të vendeve të ish-Jugosllavisë.

Edhe pse duhet theksuar se përveç një pakice në Parlamentin Evropian dhe instancat e tjera, liderët evropianë kanë qenë gjithnjë të qartë: Ballkani duhet përfshirë në BE!

Por edhe ata që lëshonin deklarata të tilla, e kishin shumë të vështirë për të përcaktuar sesi do përfshiheshin vendet ballkanike në BE. Për këtë arsye u bë një prerje çezariane. Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, krijuan atë që do të quhej Ballkani Perëndimor. E megjithatë, brenda këtij përcaktimi, disa vendeve të Ballkanit Perëndimor ju dha një përparësi në proceset integruese, ndryshe nga disa të tjera, si p.sh Kosova e Maqedonia që edhe pse mund të konsideroheshin pjesë e kësaj linje, mbartnin me vete disa probleme që duheshin zgjidhur përpara se ato të aderonin në BE.

Për një kohë shumë të gjatë, Bashkimi Europian u rezervua për përfshirjen e mundshme të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia – në BE. Probleme të theksuara në strukturat demokratike të papërfunduara, sundimin e ligjit, nacionalizmin e tepruar, korrupsionin dhe nepotizmin, përbënin vetëm disa nga arsyet për qëndrimin refuzues. Por më pas BE arriti në përfundimin se vazhdimi i kësaj politike do të rrezikonte shumë stabilitetin e rajonit dhe sigurinë gjeopolitike. Prandaj Komisioni i BE-së botoi stategjinë për Ballkanin Perëndimor në të cilën u ofruan perspektiva konkrete për anëtarësim.

Problematikat e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që ishin të karakterit nacional dhe politik, mbeteshin shumë të vështira për t’u zgjidhur, ndryshe prej disa vende të tjera që thellësisht kishin probleme të stabilitetit dhe ekonomisë. Ndaj, Maqedonia dhe Kosova shfaqeshin si dy vende që fillimisht duhet të zgjidhnin, e para statusin e saj dhe çështjen e njohjes prej Serbisë dhe trajtimit të minoritetit serb, ndërsa e dyta problemin e emrit të saj të kundërshtuar prej Greqisë.

Nga ana tjetër Serbisë ju kërkua që të futej në diskutime me Kosovën për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull dhe të njihte këtë të fundit. Por ndryshe prej alternativës evropiane, Rusia filloi të shfaqej si një alternativë plotësuese e favorizuese për disa vende të Ballkanit (Serbinë e deri diku Maqedoninë). Aq shumë e rriti ndikimin Moska, sa proceset integruese të BE-së në një pikë të caktuar ndalën, nuk po bënin progres, deri diku u vu re dhe një lloj regresi në negociatat mes Serbisë e Kosovës. Ky lloj regresi u vu re edhe në Maqedoni ku qeveria e Gruevskit u akuzua për dhunë ndaj popullsisë shqiptare dhe për lidhje e afera korruptive me mafien.

E tashmë që panorama në Maqedoni është kthjelltësuar, del në pah problemi i emrit të këtij shteti që mban mbi vete përcaktimin e FYROM-it, emërtim që siç thashë pak më lart, refuzohet të njihet prej Greqisë prej përdorimit të termit “Maqedoni” brenda përcaktimit. Ndërsa Gjykata Speciale dhe marrëveshja për kufirin mes Kosovës e Malit të Zi, mbeten ende në udhëkryq. Të kërkuara unanimisht prej shteteve të fuqishme mike, fillimisht u rrefuzuan në Kosovë, por tani po duket sikur po marrin drejtim pozitiv, sidomos çështja e Gjykatës Speciale. Nga ana tjetër Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër të tjera edhe vende anëtare në Paktin e Atlantikut Verior, gjë e cila i detyron ato të kontribuojnë në misionet ushtarake, si dhe të ruajnë stabilitetin e tyre territorial e të bashkëpunojnë më ngushtë me qendrën e NATO-s në Evropë. Kjo si shprehje edhe e lajmërimeve të herëpashershme që NATO ka bërë mbi disa linja mbështetëse ruse në Ballkan. E këtu pika më e dobët mbetet misioni humanitar ose sanitar rus në Nish të Serbisë.

Për këtë arsye, BE ka konsideruar dhe i ka vënë një theks të veçantë anëtarësimit dhe proceseve të nisura me dy vende, Serbinë dhe Malin e Zi. Të dy këto vende janë kandidatët që kanë bërë përparimet më të mëdha në rrugën drejt BE. Negociatat e pranimit po vazhdojnë me të dy shtetet prej disa vitesh. Por në antitezë të negociatave dhe përparimit të bërë, në të dyja këto shtete shihet një skepticizëm shumë i madh sidomos prej popullsisë dhe shtresave intelektuale. Sipas të dhënave të publikuara prej BE, në Serbi pjesa e popullsisë që e shikon të ardhmen drejt BE-së, zë një përqindje shumë të vogël, 26%, krahasuar më atë që është kundër këtij procesi, 30%, dhe pjesës së pavendosur prej 44%. Ndërkohë në Mal të Zi, pjesa pro integrimit në BE zë 44%, të pavendosurit 34% dhe ata që janë kundër zënë 22%. Vetëm Kosova dhe Shqipëria kryesojnë tabelën e vendeve me frymën më të lartë pro evropiane, me 90% e para dhe 81% e dyta, e me një pjesë të pavendosurish ose kundër, që mbetet e papërfillshme.

Sidoqoftë për BE-në, Serbia paraqet shtetin më problematik në sjellje me shtetin fqinj Kosovën. Kjo pasi Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Prandaj marrëdhënia midis Beogradit dhe Prishtinës është një pengesë në negociatat e pranimit. BE insiston që të dy vendet të “normalizojnë” marrëdhëniet e tyre para pranimit. Nga ana tjetër, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka theksuar disa herë me tone të forta, se politika e Serbisë në Kosovë nuk duhet të përcaktohet nga perspektiva e anëtarësimit në BE, por thjesht dhe vetëm sipas “interesave të popullit serb”. Mesa duket, strategjia e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit po rezulton të jetë një “hiç” shumë i madh! E këtu ja vlen të bëjmë një analizë të shkurtër për të qartësuar më tej panoramën.

Pra kush janë pengesat që po has BE në Ballkan?

Së pari, BE pavarësisht se mundohet të ndërtojë e unifikojë politikën e jashtme të saj, mes Brukselit dhe kryeqyteteve të vendeve anëtare, sërish unifikimi i kësaj politike mbetet shumë i vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Vullneti i vendeve anëtare sado që shprehet njëzëshëm, përsëri nuk e anashkalon dot ndasinë dhe ndjesitë që disa shtete brenda BE-së kanë mbi çështje apo problematika të ndryshme. Kjo dallohet edhe në preferencat politike e strategjike që secili prej tyre ka me vende të veçanta në Ballkan.

Së dyti, prania dhe rritja dita ditës e ndikimit rus në Ballkan e ka vështirësuar edhe më tej ecurinë e proceseve integruese. Përballë rrugës së gjatë e të vështirë për t’u anëtarësuar në BE, alternativa e një pushteti autoritar si dhe mos luftimi i korrupsionit, mbeten problematikat më të mëdha të vendeve ballkanike. Ekonomia e dobët si dhe elitat e korruptuara janë faktorët pengues drejt proceseve evropianizuese. Kjo i shtyn liderët e disa vendeve evropiane që të gjejnë përkrahje dhe mbështetje politike për problemet e tyre nacionale më shumë tek Moska sesa tek Uashingtoni apo Brukseli. Vaniteti i politikës së jashtme të BE-së, por deri diku edhe SHBA-ve gjatë periudhës së Barak Obamës, i dha mundësi vendeve ballkanike të ripozicionohen e të shikojnë për opsione të tjera.

Së treti, elita e korruptuar dhe elita e vjetër që ka mbetur aktive, pavarësisht kalimit të viteve, i ka dhënë zemër ekstremistëve të majtë e të djathtë, të rigrupohen, të organizohen, si dhe të mbështesin politikanët dhe intelektualët që ata mendojnë se frymëzojnë apo përfaqësojnë idealet e tyre. Pothuajse si në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni ashtu dhe në Shqipëri, zëvendësimi i elitave ka qenë shumë i ngadaltë. Kjo i ka dhënë një përparësi shumë të madhe grupeve radikale që të frymëzohen dhe të kundërshtojnë proceset integruese të BE-së. Për më tepër që elita e vjetër nën modelin e ish-Jugosllavisë apo ish-vendeve komuniste, në gjenezë të saj ka frenimin e proceseve integruese dhe evropianizuese. Sipas këtyre elitave, sovraniteti është trajta dhe elementi më i rëndësishëm i një shteti i cili nuk duhet humbur. Në kushtet “ku secili duhet të ndërtojë modelin e vet”, për të majtët sipas tipit Hugo Chaves, e për të djathtët sipas atij të Titos ose Milosheviçit, integrimi zhvlerësohet dhe humbet trajtë.

Së katërti, benzina që i hidhet të gjitha arsyeve të përmendura më lart, vjen gjithnjë nga Rusia. Qoftë përmes financimeve ashtu si dhe përmes politikanëve të korruptuar në vendet ballkanike, gjehet gjithnjë mundësia për të penguar proceset evropianizuese dhe për të mbështetur nga ana tjetër nacionalizmin, ekstremizmin dhe antiamerikanizmin.

Përballë kësaj situate, duke qenë të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, na mbetet veç të shohim nëse do integrohen vendet e Ballkanit në BE, apo do jetë aq vonë, sa për BE-në nuk do ketë shumë hapësirë në Ballkan. Për këtë arsye roli i SHBA-ve si mbështetëse të proceseve zhvilluese në Ballkan do të mbes i padiskutueshëm edhe në dekadën e ardhshme, madje mund të marrë (dhe duhet të marrë) përmasa edhe më të mëdha.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here