330 mijë persona kanë braktisur Shqipërinë shtatë vitet e fundit

0
86

Në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë.
Të dhënat janë bërë publike dje nga një grafik i INSTAT, duke treguar faktin e dhimbshëm se 28 vjet pasi u shënua vala e parë e emigrimit, shqiptarët ende duan të ikin dhe shumë pak duan të kthehen.

Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur një rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur.
Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen.

Në shtatë vitet e fundit, njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Më pas renditet qarku i Durrësi me 285 mijë.

Emigracioni, së bashku me rënien e lindshmërisë janë arsyet kryesore që po çojnë në tkurrjen e popullsisë. Instat raportoi sot se me 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë 2018, rezultoi 2.870.324 banorë duke pësuar një rënie me 0,2 % krahasuar me 1 Janar 2017.

INSTAT sqaron se Migracioni Neto (Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi) është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë INSTAT thotë se përdor të dhënat më të mira ’proxy’ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientet e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here