Banka e Shqipërisë shpall prioritet reformën në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë  

Banka e Shqipërisë konsideron si një objektivat kryesor të aktivitetit për tre vitet në vijim reformën në tregun sekondar të letrave të borxhit qeveritar. Në strategjinë afatmesme 2018-2020 që u bë e njohur për publikun, BSH referoi se, zhvillimet e mëtejshme të tregut të parasë dhe të tregut sekondar të titujve të Qeverisë mbeten ndër prioritetet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Më tej thuhet se ky angazhim përbën një sfidë për institucionin, për materializimin e së cilit nevojitet angazhimi serioz i të gjithë aktorëve që kanë interes, mundësi dhe përfitim nga këto zhvillime.

Vendosja në përdorim e Sistemit Qendror të Regjistrimit dhe Shlyerjes të Titujve të Qeverisë (AFISaR), ka krijuar një mbështetje të rëndësishme në administrimin e procedurave të ankandeve të titujve të Qeverisë, veprimeve që lidhen me titujt në  tregun sekondar dhe administrimit të kolateralit, duke zvogëluar ndjeshëm rreziqet operacionale, sqarohet më tej.

Në fokus të periudhës afatmesme është zhvillimi dhe përshtatja e mëtejshme e infrastrukturës teknike dhe rregullative, për të stimuluar pjesëmarrjen e operatorëve të rinj në AFISaR, si dhe nxitja e zgjerimit të aktivitetit dhe bazës së investitorëve, kryesisht atyre jorezidentë, për të rritur kapacitetet financiare investuese dhe ekspertizën në zhvillimin e tregut sekondar të titujve.

Banka bën me dije se gjatë vitit 2018, do të punohet për rritjen e transparencës dhe komunikimit mbi operacionet në tregun e hapur dhe parashikimet afatshkurtra të situatës së likuiditetit të sistemit bankar. Kjo rritje e  transparencës do të ndihmojë bankat të përcaktojnë çmimet e tyre në tregun e parasë mbi një bazë më të gjerë informacioni, të kuptojnë drejt operacionet në tregun e hapur të realizuara nga Banka e Shqipërisë dhe rrjedhimisht do të sjellë një reagim më të shpejtë të tyre, në drejtim të transmetimit të politikës monetare në ekonomi.

Zhvillimet e fundit në tregjet financiare ndërkombëtare provuan edhe njëherë që administrimi i rreziqeve të likuiditetit, tregut dhe kreditit, përbën një parakusht për investimin e rezervës valutore. Realizimi i këtij parakushti do të vijojë të mbetet në bazë të punës së Bankës së Shqipërisë për administrimin e rezervës valutore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *