Dje apo pardje, opozita doli e foli për varfërinë. Dua të tërheq vëmendjen e të gjithë kolegëve, deputetëve majtas dhe djathtas, por edhe të qytetarëve për të vërtetën. Dje opozita tha se varfëria, në bazë të raportit të Bankës Botërore, është rritur dhe për të përqasur “të vërtetën” e opozitës unë ju kam sjellë qytetarëve dhe kolegëve të mi të vërtetën e raportit.
Do t’i lutesha kujtdo qytetari që është i interesuar ta shohë, është faqja e parë e përmbledhjes ku grafiku tregon qartë që varfëria në vitin 2012 ka arritur kulmin e në Republikën e Shqipërisë. Ky është raporti i Bankës Botërore. Pra, e vërteta nga podium i Partisë Demokratike, rrallë është e vërtetë dhe kur është e vërtetë, është e përmbysur dhe tjetra, ja ku i keni dhe grafikët ku tregon që numri i popullsisë në periudhën 2008-2012 që jeton me 2.5 dollarë dhe me 5 dollarë në ditë është rritur.

Poverty headcount, Albania, 2002–12, percent

Kam nxjerrë nga raporti një tabelë që jua vë në dispozicion të gjithë deputetëve, majtas, djathtas dhe në qendër, se cilat janë shifrat. Në vitin 2008 kanë qenë 179.844 qytetarë që jetonin me 2.5 dollarë në ditë. Në vitin 2012, 194 mijë, rritur me gati 10-11%. Doni t’ju sjell të vërtetën e 2012-2016 po nga Banka Botërore? Është e njëjta tabelë e Bankës Botërore. Pra, t’i referohemi statistikave të Bankës Botërore dhe të mos bëjmë bolori gënjeshtrash me emocione çadrash.

Në vitin 2016 është ulur numri i qytetarëve që jetojnë me 2.5 dollarë në ditë, nga 194 mijë në 159 mijë, ose 17.8% më pak. Nuk po them që kemi bërë çudira, nuk po them këtë, por po them se e vërteta qëndron ndryshe dhe e vërteta ndërtohet në statistika, jo në qejfe emocionale për të hedhur shifra sa andej-këndej. Kjo është e para.

E dyta, dy kategori që këta i kanë përfaqësuar “demek” me ngjyrë, por që i kanë shtypur gjatë gjithë periudhës që kanë qenë në pushtet janë pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit politikë. I lanë pa i dhënë asnjë lek që i takonin ish-të përndjekurve politikë. Sot, ka mbaruar kësti i tetë i të gjallëve. Me demek kjo partia ish-komuniste që nuk i deshte këta, i paska paguar cep më cep detyrimet ligjore që ka ndaj tyre, ndaj të gjallëve. Po pronarët, që me demek i ka përfaqësuar kjo parti? Asnjë kokërr leku. Qeveria e Partisë Socialiste vendos 50 milionë dollarë çdo vit në buxhet në 10 vitet që vijnë që t’i kompensojë financiarisht dhe ka vendosur një formulë shumë dinjitoze të kompensimit fizik.

Unë e kuptoj shumë mirë që nga podiumi i Partisë Demokratike dalin emocione çadrash, gjera të pavërteta, por sinqerisht, me të vërtetën jeni bërë qesharakë. Jeni bërë qesharakë me të vërtetën, se vini e thoni është rritur varfëria. Varfëria nuk është ulur mjaftueshëm, patjetër, por u rrit midis 2008-2012. Papunësia është ulur nga 17.6% që e latë ju, në 13.6 %, është ulur 4 pikë. Nuk është rritur, është ulur. Nuk është ulur mjaftueshëm, por ju e rritët papunësinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here