Kemi një hartim dhe legjislacion të mirë të buxhetit, por ka vend për përmirësim lidhja mes strategjive sektoriale dhe buxhetit. Gjithashtu, duhet monitorim më i madh për investimet publike dhe  kryesisht  në krijimin e detyrimeve të prapambetura. Këto janë ato që cilësohen më tepër tek Raporti mbi Vlerësimin e shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare për Shqipërinë (PEFA), bërë nga Banka Botërore dhe  financuar nga Bashkimi Europian. Menaxhere e  Zyrës së BB për Shqipërinë, Maryam Salim,  u shpreh se menaxhimi më i mirë i fondeve publike do të sjellë edhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në përgjithësi raporti vë në dukje se Shqipëria ka avancuar në disa fusha si kredibiliteti buxhetor, elementë të transparencës fiskale, monitorimi i shpenzimeve, detyrimet e prapambetura të prokurimeve. Ndërsa në monitorimin e njësive ekstrabuxhetor, menaxhimin e investimeve publike nevojitet një përmirësim, lidhje më të mira midis strategjisë dhe buxhetit, ndjekja sistematike e detyrimeve të prapambetura dhe forcimi i parlamentit si institucion kryesor i kërkimit të llogarisë.”

Ndërsa  Drejtori për Projektet pranë delegacionit të BE, Mario Mariani, theksoi se realizimi i disa reformave të rëndësishme për vendin tone, janë hapa të rëndësishme në rrugën e integrimit.

“Unë besoj fuqimisht se kjo reformë dhe reforma të tjera sektoriale që përmenda më lart, ku ne jemi të angazhuar bashkërisht, janë kyçë për të përshpejtuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe kjo për përmirësimin e Shqipërisë dhe standarde të sigurta për qytetarët e vet.”

Raporti mbi Vlerësimin e shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare për Shqipërinë, prezanton një diagnostikim të përditësuar të situatës së menaxhimit financiar publik në nivel kombëtar (MFP). Vlerësimi, i cili është i treti i këtij lloji, paraqet një përshkrim të ndryshimeve që kanë ndodhur prej vlerësimit të mëparshëm në vitin 2011. Vlerësimi kishte si objektiv përditësimin e Strategjisë ekzistuese të Reformës për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, si dhe të ofronte gjetje për rishikimin afatmesëm të strategjisë dhe një sistem matës së performancës së këtyre reformave në vend.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here