Afati i ri për taksën e pronës, gati struktura e “kadastrës”   Krijohet struktura e Drejtorisë së Përgjithshme e Taksës së Pasurisë

0
36

Taksa e pronës, sipas formulës së re tashmë të miratuar edhe në mënyrë ligjore do të nisë zbatimin e saj nga 1 prilli i këtij viti. Burime zyrtare pranë Ministrisë për Financat dhe Ekonominë thanë se aktualisht po punohet për detajet e tjera të kadastrës fiskale. Të njëjtat konfirmojnë se është miratuar tashmë struktura e Drejtorisë së Përgjithshme e Taksës së Pasurisë dhe se së shpejti do të nisin edhe rekrutimet por që deri më tani nuk ka nisur ende kjo fazë.

Ligji parashikon një hark kohor parapërgatitor për insitucionet që është periudha janar-mars ndërkohe që nga 1 prilli ligji “Për taksat vendore” ku përcaktohet edhe taksa e pronës është parashikuar të hyjë në fuqi. Pas kësaj Ministrisë së Financave i mbetet një muaj kohë për të miratuar aktet nënligjore të cilat do të japin në detaj mënyrën sesi do të funksionojë zbatimi.

Burime pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë thanë se duke qenë se formula e re e taksimit të pronës paraqet në vetvete një reformim tërësor nga e kaluara, është menduar që të merret asistence nga insitucionet ndërkombëtare të specializuara. Në këtë rast bëhet fjalë për një projekt tre vjeçar me SIDA-n (Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar) e cila do të asistojë palën shqiptare.

Projekti pritet që të prezantohet diku nga muaji shkurt ku do të bëhen publike edhe pikat e këtij bashkëpunimi si dhe fazat e zbatimit.
Ndërtimi i bazës së të dhënave duket se mbetet akoma sfide e institucioneve pasi sipas burimeve ajo është në rifreskim ditë pas dite.

Përllogaritja e re
Qeveria në ligjin “për taksat vendore” caktoi përqindjen që do të llogaritet si taksë nga vlera totale e ndërtesës.
“Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë: a) 0,05 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; b) 0,2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; c) 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi” thuhet në ligj.

Nga ana tjetër agjenti i mbledhjes së kësaj takse sikurse është deklaruar edhe më herët është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në ligj kushtet për agjentin lidheshin me bazën e të dhënave si dhe sistemin elektronik. Aktualisht OSHEE është duke punuar me projektin për përditësimin e adresave që indirekt edhe pse nuk është deklaruar asnjëherë, mund të ndihmoje edhe për arkëtimin e taksës së re të pronës. Së fundmi, OSHEE ka dalë me një reklamë, ku i njofton të gjithë qytetarët se në rast se nuk bëjnë përditësimin e adresës dhe të dhënave deri në 30 janar, do t’u ndërpritet enegjia elektrike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here