Pagat/ Këtë vit do rriten me 2.8%, gati sa çmimet e konsumit

0
8

Komisioni Europian projekton një rritje të pagave me vetëm 2.8% këtë vit në Shqipëri. Të dhënat e fundit tregojnë kështu se, në këtë drejtim komisioni europian ka ulur ndjeshëm pritshmëritë.

Në raportin e kaluar, atë të muajit Nëntor, fliste për një rritje të pagave me 3.3%. Pra kemi të bëjmë me një zhvlerësim të projeksioneve. Në rast se, rritjes së pagave me 2.8% të projektuar, do t`i shtojmë edhe normën e inflacionit, që tashmë projektohet në 2.4%, atëherë rezulton se, rritja reale e pagave do të jetë minimale, në kufijtë e të papërfillshmes.

Edhe sa i përket vitit të ardhshëm duket se nuk do të ketë lajme të mira, po sipas Komisionit Europian. Në 2019, thotë raporti për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate, pagat e shqiptarëve do të rriten me vetëm 3.1%, ndërkohë që çmimet do të rriten me 2.8%.

Pra, vitin e ardhshëm situata do të jetë thuajse e njëjtë me këtë vit po të kemi parasysh edhe ecurinë e çmimeve. Pak muaj më parë, ishte një tjetër agjenci prestigjioze, “Korn Ferry” që e klasifikonte Shqipërinë mes vendeve që nuk do të njohin një rritje reale të pagave këtë vit.

Sa i përket konsumit privat ndërkohë, Komisioni Europian parashikon një rritje me 2.7% përgjatë këtij viti.

Ndërkohë që për indikatorët kyç makroekonomik, e kryesisht rritjen ekonomike, Komisioni Europian erdhi me lajme të mira, sa i përket ekonomisë familjare, pra atë që ndiejnë qytetarët e thjeshtë, duket se nuk ka shumë optimizëm, përkundrazi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here