Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit rregullat e reja që do të aplikohen për kompensimin e pronave.  Në ndryshimet e miratuara përforcohet detyrimi i dhënies prioritet kompensimit fizik, fillimisht kthimi  i plotë ose i pjesshëm i tokës nëse është e lirë apo kompensimi me një sipërfaqe tjetër toke që është në fondin e kompensimit fizik.

Referuar ndryshimeve, kompensimi financiare do të jepet vetëm pasi të jenë ezauruar dy hallkat e para; kompensimi fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar dhe kompensimi fizik nga fondi i tokës. “Në rastet kur subjekti trajtohet me kompensim financiar, trajtimi kryhet me këste të barabarta, brenda 10 viteve, në përputhje me procedurat që miratohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë” përcaktohet në vendim.

Prioriteti i mënyrave të kompensimit përcaktohet sipas rendit të mëposhtëm:

  1. a) Kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar;
  2. b) Kompensim fizik nga fondi i tokës;
  3. c) Kompensim financiar.

Procedurat dhe rregullat e përgjithshme të kompensimit

Kompensimi i subjekteve fillon pasi vlerësimi financiar i pronës bëhet përfundimtar. Vlerësimi bëhet përfundimtar kur:

  1. a) ka kaluar afati 30 ditor i njoftimit përmes publikimit të vlerësimit financiar, dhe nuk ka patur ankim;
  2. b) subjektet e interesuara dhe Avokatura e Shtetit deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim;
  3. c) ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.

Subjektet të cilat disponojnë të paktën një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim.

ATP-ja vijon procedurat  për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin sipas këtij vendimi.

Prioriteti i mënyrave të kompensimit përcaktohet sipas rendit të mëposhtëm:

  1. a) Kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar;
  2. b) Kompensim fizik nga fondi i tokës;
  3. c) Kompensim financiar.

Kur prona konsiderohet e zënë, në kuptim të ligjit nr.133/2015, ATP-ja nuk procedon me kompensim fizik mbi këtë pronë, por me një nga mënyrat e tjera të kompensimit.

“ATP-ja kërkon nga autoritetet përkatëse vendore dhe qendrore informacion nëse mbi ish-pronën e njohur me vendim përfundimtar një subjekti të shpronësuar, që mendohet të parashikohet për kompensim fizik, është miratuar leje ndërtimi ose dhënë ndonjë e drejtë tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi, apo nëse ka filluar procedura për dhënien e kësaj të drejte. Në çdo rast, ATP-ja kërkon informacion nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. ATP-ja disponon sipas përcaktimeve të ligjit nr.133/2015, lidhur me mënyrën e kompensimit.

Në të gjitha rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë sipas ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Në shpërndarjen e fondit të tokës, ATP-ja udhëhiqet nga kriteri  i përzgjedhjes së pronës gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim.

ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet përkatëse. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një verifikim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën verifikuese, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.

ATP-ja njofton publikisht, nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, Buletinit të Njoftimeve Zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të Pronave.”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here