Nga Artan FUGA

 

Reklamuesit e dinë që nuk janë reklamat në media ato që nxisin pjesën dërmuesve të konsumatorëve shqiptarë për të blerë mallrat ose shërbimet përkatëse në treg.

Këtë e tregon një sondazh me rezultate shumë pjellore për reflektim mbi mediat dhe reklamën që ka kryer së fundmi Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

E gjeni bashkëngjitur

Ky është një paradoks që e ka shpjegimin e vet. Televizionet komerciale financohen thuajse ekskluzivisht nga financimet që reklamuesit bëjnë për promocionet e tyre publicitare, ndërkohë që vetë reklamat e transmetuara për pjesën dërmuese të konsumatorëve nuk kanë ndonjë impakt për t’i motivuar këta të fundit të drejtohen nga kjo ose ajo ofertë në treg.
Kjo është karakteristikë më shumë për shtresat e gjëra të popullsisë që kanë të ardhura modeste ose të pamjaftueshme. Kurse për shtresat e tjera, më të kufizuara, sigurisht që reklama strukturon nevojat e tyre, i nxit të blejnë, pra të konsumojnë.
Shtresat e gjera të popullsisë janë më shumë të orientuara te plotësimi i disa nevojave bazë me produkte ose shërbime që janë të detyrueshme për t’i paguar. Pra këto të fundit nuk kanë ose kanë fare pak nevojë për të pasur reklamat e veta përkatëse në media. Ka një pjesë të popullsisë që nevojat e veta i plotëson thuajse krejtësisht jashtë tregut. Ta zemë popullsia rurale që përdor prodhimet bujqësore të parcelave të tokës bujqësore që ka në pronësi. Po ashtu, falë faktit që reklama në media është shtrenjtë, bëhet reklamë për produkte që janë të veçanta dhe në treg përgjithësisht janë me çmime relativisht të larta për shtresat në nevojë ose me të ardhura modeste. Kjo bën që reklama në televizion nga këto pjesë të popullsisë më shumë të shihet si një përmbajtje televizive që plotëson dëshirën për evazion imagjinar në një botë të mjerë reale, si një kompensim i mangësive reale, sasa si një motivim për t’u kthyer në blerësa realë. është më shumë si një film ses një operacion banal marketingu reklama.
Atëhere përse reklamuesit paguajnë për kohën televizive që marrin reklamat e transmetuara çdo ditë madje me një intensitet thuajse të çfrenuar? E para, se jo të gjithë reklamuesit e dinë këtë të dhënë sociologjike. Shpesh ata ua besojnë reklamimin agjencive të marketingut, dhe këto kanë interes ta paraqesin gjendjen te klientët e tyre sikurn reklamimi ka ndonjë dobi të ndjeshme në treg. E dyta, se poqese nuk do të reklamonin do të rrezikonin të humbisnin edhe atë audiencë që ndonëse më e pakët gjithsesi është e ndjeshme ndaj reklamës për orientimin e saj në treg. E treta sepse nëse nuk do të reklamonin kanë frikë se vendin e tyre e zënë konkurrentët. E katërta sepse një pjesë e reklamës ka si funksion qetësimin e qendrimeve kritike që media mund të ketë eventualisht ndaj kompanive reklamuese, dhe jo misionin e vet klasik të marketingut mediatik të mallrave dhe shërbimeve./

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here