Gramoz Ruçi çeli sesionin parlamentar duke prezantuar një plan pune për deputetët, ku pikat më të rëndësishme janë ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përshtatja e legjislacionit sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Jo vetëm që kërkojnë për miratim dy të tretat e anëtarëve të vendit, por do të jetë një kontribut i drejtpërdrejt për procesin e hapjes së negociatave”, tha Ruçi.

Opozita me diskutimet e saj u rikthye më 18 dhjetor duke, e cilësuar seancën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm si krim kushtetues. Për mazhorancën sjellja e opozitës në atë seancë ishte goditje e procesit të integrimit europian.

“Kur Kryeministrit i duhet një Prokuror i Përgjithshëm për të kontrolluar dhe mbyllur çështjet penale të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe jo vetëm kaq, por për të diktuar përmes një Kryeprokurori të paligjshëm e jo kushtetues edhe formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një qëllim: Të shmangë me çdo kusht krijimin e një SPAK-u të pavarur nga kontrolli i Kryeministrit, instrumenti më i rëndësishëm për kapjen dhe vënien para drejtësisë të peshqve të mëdhenj, si kushti kryesor për hapjen e negociatave”, tha Lulzim Basha.

“Shqipëria sot është më afër se kurrë çeljes së negociatave të anëtarësimit, çka do të bënte një hap epokal në historinë e Shqipërisë, ndaj nuk e meriton aspak, as baltën as tymin, as dëshpërimin e kësaj opozite që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e reformës në drejtësi”, u shpreh Taulant Balla.

Pa tension nuk kaloi as kjo seancë e parë, kur opozita kërkoi përfshirjen në programin e punës të amendamenteve të saj kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjen e një kryeprokurori tjetër të përkohshëm dhe shkarkimin e Arta Markut.

Me rikthimin në normalitet, Gramoz Ruçi e cilësoi të panevojshëm tensionimin.

“Propozimi juaj… e ka futur rregullorja automatikisht në Kuvend që në momentin…në programin e Kuvendit. S’keni pse ziheni për këtë çështje”, u shpreh Ruçi.

Duke ruajtur raportin e marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin opozita braktisi procesi e votimit, ndërsa mazhoranca miratoi kalendarin dhe programin e punës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here