Nga Urim GJATA

Në muajin korrik 2017, në Mal të Zi, ka filluar procesi gjyqësor ndaj një grupi, ku ishin të përfshirë shtetas malazezë e serbë, të cilët akuzohen për terrorizëm, pasi më 16-17 tetor 2016, në kohën kur zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, tentuan të organizonin një grusht shteti. Si organizator i këtij grushti shteti është akuzuar në vijimësi Rusia, që ka kërkuar me çdo kusht të pengojë hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Për personat e përfshirë është ngritur akuza për terrorizëm dhe përfshirje në aktivitete konspirative në bashkëpunim me shërbime të huaja. Personat kryesorë të akuzuar për këtë rast janë Aleksandër Sindjeliç nga Nishi, Bratislav Dikiç ish-drejtuesi i Xhandarmërisë së Serbisë, dhe dy oficerë rusë të Inteligjencës së ushtrisë ruse, Vladimir Popov dhe Eduard Shishmakov, të cilët po gjykohen në mungesë. Po ashtu, nën hetin janë edhe shtatë deputetëve të opozitës malazeze, pasi kanë lidhje me ngjarjen dhe u është hequr mandati.

Sipas një burimi të shërbimit malazez rezulton se, Aleksandar Sindjeliç, ka pranuar se është rekrutuar nga GRU, me qëllim gjetjen dhe armatosjen e shtetasve serbë e malazezë, që do të merrnin pjesë në grushtin e shtetit. Gjatë marrjes në pyetje,ai ka shpjeguar mënyrën e rekrutimit të tij nga oficerët e kamufluar, takimet në Mal të Zi dhe Beograd, vlerat monetare në shumën 200 000 (dyqind mijë) euro të marra dhe detyrat që do të kryente si dhe krijimin e kushteve për realizimin e këtij operacioni. Gjatë marrjes në pyetje Sindjeliç ka dëshmuar se, qëllimi i grushtit të shtetit ishte pengimi i Malit të Zi për në NATO. Po ashtu, ai ka pranuar se në kuadër të këtij operacioni është planifikuar hyrja me dhunë në  parlamentin malazez në Podgoricë dhe rrëzimi i qeverisë. Sipas tij, ky plan ka qenë në koordinim me politikanë të Frontit Demokratik pro-rus, të cilët më pas do të merrnin drejtimin e shtetit.

Sipas prokurorisë, janë siguruar prova të shumta, që dëshmojnë këtë aktivitet, si p.sh., transaksionet financiare ndërmjet dy oficerëve të zbulimit rus Popov – Shishmakov dhe Sindjeliçit dhe tabulatet e bisedave midis tyre. Gjithashtu, janë siguruar foto të dy oficerëve rus, të cilët janë vërtetuar nga Sindjeliç. Deri tani, nuk është bërë e qartë se përse gjatë kontrollit në banesë janë gjetur fotografi të ndërtesës së ambasadës së SHBA-ve, një listë të personave që mund ta ndihmonin Gjukanoviçin, si dhe informacione mbi vendndodhjen e stacioneve të policisë malazeze dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Edhe pse nuk ka mbaruar procesi gjyqësor, një gjë është e qartë se grushti i shtetit në Mal të Zi, është përgatitur nga një plani shërbimit sekret ushtarak rus-GRU, me qëllim pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Duke shfrytëzuar gjendjen jo stabile në Ballkan, nëpërmjet shërbimeve të saj sekrete, Rusia ka tentuar dhe do të vazhdojë të tentojë të krijojësituata të tensionuara dhe destabilizim në vendet e këtij rajoni, që janë në proces integrimi. Megjithatë, mund të thuhet me bindje të plotë se, operacioni i shërbimeve sekrete ruse në Mal të Zi ka qenë një nga dështimet më spektakolare të tyre në rajonin e Ballkanit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here