Në 2017-n u mbyllën 13 mijë biznese, edhe ky vit nis keq

Ekonomi Sociale

Ka arritur në 13 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv gjatë gjithë vitit 2017, sipas të dhënave të subjekteve me status pasiv të publikuara nga Tatimet dhe të përpunuara nga

Me këto ritme, rezulton që në Shqipëri janë mbyllur gati 50 biznese në ditë përgjatë vitit 2017, duke përjashtuar fundjavat. Numri më i lartë i subjekteve të mbyllura është në Tiranë, me rreth 4,120. Në Durrës janë mbyllur rreth 1,900 subjekte, në Vlorë 1,085, në Fier 802, në Elbasan 673 (shih grafikun).

Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.

10 kompani janë nga drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj, kryesisht në fushën e naftës. Në krahasim me një vit më parë, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv ka rënë ndjeshëm. Po sipas tatimeve, në 2016-n rezultojnë që u mbyllën mbi 23 mijë biznese, ku vetëm në datën 6 maj kaluan në status pasiv rreth 9700 subjekte ( të hapura para rreth një dekade dhe që ishin pa aktivitet).

Dy vitet e fundit tatimet kanë zhvilluar një proces intensiv për pastrimin e listës së kompanive, duke evidentuar subjektet me status pasiv dhe duke kaluar me këtë status bizneset që kishin më shumë se 12 muaj pa deklaruar asnjë aktivitet. Në total, janë rreth 111 mijë kompani që kanë kaluar me status pasiv, të hapura që nga fillimi i viteve 90 e deri tani. Nga ky proces, tatimet identifikuan edhe shumë subjekte që ishin në status pasiv, të cilat ushtronin aktivitet (lëshonin fatura), të cilat u kaluan automatikisht në status aktiv, ndërsa kompanitë që kishin punuar me to u paralajmëruan që të ishin të kujdesshme dhe të verifikonin nëse subjektet me të cilat japin e marrin fatura ishin aktive.

Edhe viti 2018 nis keq, mbyllen 247 subjekte në 6 ditë

Vetëm në 6 ditë, nga 3 janari deri në 8 janar 2018, janë mbyllur 247 biznese, sipas të dhënave të përditësuara nga tatimet, kryesisht persona fizikë, ku mbizotërojnë Tirana dhe Durrësi. “Monitor” kontaktoi disa prej tyre për t’i pyetur për arsyet e mbylljes. Gëzim Alushi, që administronte Bar Butrinti pranë Kopshtit Botanik në Tiranë tha se arsyeja e mbylljes së aktivitetit ishte mungesa e klientelës. Dashamir Gjini, në Tiranë, që kishte një parukeri, që nga viti 2015, tha se e mbylli pasi nuk i leverdiste dhe do të punësohej diku tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *