Si u krijua Shoqata Çamëria dhe u përpilua “Dosja Çame” – Nga Nexhat Merxhushi

0
10

Nga Nexhat Merxhushi

Politika izoluese e regjimi komunist e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar.
Çamët asnjëherë nuk kanë reshtur përpjekjet në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore, pavarësisht heshtjes 45 vjeçare të regjimit komunist, i cili ndaloi organizimin e popullsisë çame  pas vitit 1953, vit  kur edhe iu hoqi arbirtrarisht, “en blok”,  shtetësinë greke, me një dekret të posaçëm antikushtetues. Përndjekjet  e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “grupit çam antiparti”, pas të cilit çamët u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë. Por ja që ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe tashmë koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje  historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare. Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, pa ndonjë ndihmë nga jashtë, filluam menjëherë organizimin për krijimin e shoqatës patriotike Çamëria, qysh në dhjetor 1990, me biseda të veçanta me grupe . Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë hija e diktaturës. Organizimi, me synim krijimin e shoqatës, filloi më nga mesi i dhjetorit 1990. Takimet e para u bënë  në studion e skulptorit Ilmi Kasemit, në shtëpinë e Ferhat Sejkos, në shtëpinë e Sali Bollatit, të Ilmi Saqes dhe dy herë në një dhomë të veçantë te pallati i Kulturës.  Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si:  Abaz Dojaka, etnograf, Lutfi Saqe pedagog, Ilmi Kasemi skulptor, Ferhat Sejko, mjek, Sali Bollati, inxhinier, Petrit Kasemi pedagog, Emin Sejko, pedagog,Petrit Demi historian, Ilimi Saqe , inxhinier, Arshin Rexha gazetar, Hasan Minga historian, Gazali Sejko jurist, Abas Hado piktor, Resul Taipi, ushtarak, Hasan Musaj, kaldaist, Jaho Saliu, ushtarak, Marten Demi, arsimtar, Rexhep Çami, elektricist, Ramazan Banushi pensionist, Bejdo Mehmeti, mjek, Daut Xhaferi oficer, dhe katër pesë – ditë më vonë iu bashkuan këtij grupi, Petri Demi, historian, unë Nexhat Merxhushi, Fatos Mero Rrapaj, folklorist, Laurant Bici, pedagog e historian, Ballkize Halili, gazetare, Ibrahim Hoxha, historian, Gjin Varfi, piktor etj.

Viti 1991 shënon fundin e heshtjes së madhe. Popullata çame, me inteligjencën e saj të përgjegjshme, e kapi këtë moment dhe me anë të një deklarate të afishuar në 10 Janar 1991 njoftuan botërisht themelimin e Shoqërisë Çamëria, e cila u miratua pak ditë më vonë, duke u zyrtarizuar si “Shoqata Patriotike Çamëria”. 

Vendimin për miratimin e shoqatës nga Ministria e Drejtësisë, me firmën e ministrit Enver Halili, mbaj e  çova unë në TVSH më 10 janar 1991 në orën 19 e tridhjetë, ku zbriti znj. Tefta Radi dhe e mori, për ta transmetuar në lajmet  e orës 20. Selia e shoqatës u vendos fillimisht ku është sot ambasada italiane dhe më pas në rrugën e Kavajës. Logon e shoqatës e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi, i biri i shkrimtarit të njohur Andrea Varfi. Menjëhërë në Tiranë dhe në rrethe filloi puna për ngritjen e  seksioneve në lagje.

 

I pari seksion që u krijua ishte ai i lagjes Ali Demi.  Në lagjen Ali Demi , në shtëpinë time, vinin veteranët Muharrem Matraku,(i cili dhuronte shpesh pensionin për shoqatën), Avdul Malo, Sali Dobrani, Bukurie Matraku, të cilët vendosën që çdo lagje të kishte seksionin e vet. Një kontribut të madh për ngritjen e seksioneve në Tiranë dhanë Petrit Kasemi e Resul Taipi, pa harrur të birin Vesel Taipin, i cili mbuloi shpenzimet e ansamblit  Çamëria në Stamboll. Dy herë te Varri i Bamit u bë mbledhja për ngritjen e komisioneve  pranë shoqatës. Menjëherë pas krijimit të shoqatës filloi organizimi për krijimin e degëve në rrethe, ku shkuan përfaqësues të qendrës si Resul Taipi, Petrit Kasemi, Arshin Rexha. Themelues të degëve në rrethe ishin: Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti,etj. Në Fier: Naim Dalipi, Agush Veliu etj. Në Durrës:Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani,  Adem Hyseni,etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan: Emine Sadiku, Daman Sinani, Hyqmet Zane etj. Në Lushnje Xhelo Zeqiri. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.

Kur nisën  aktivitetet e para  të  organizuara  të shoqatës

Nga fundi i muajit janar 1991, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë për të zgjedhur drejtuesit definitivë të shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar dhe Arshin Rexha sekretar i përgjithshëm. Si aktivitet  me rëndësi duhet të përmendim daljen e numrit të parë të gazetës “Çamëria”, më 25 mars 1991, nën drejtimin e Bashkim Kuçukut dhe Arshin Rexhës. Ndërsa tubimi i parë i shoqatës u organizua   me rastin e ardhjes së kryeministrit grek Micotaqis, më 31 janar 1991, ku për t’u theksuar është episodi me Tahir Dervishin, i cili me një megafon doli para benzit të zotit Micotaqis në bulavard para kryeministrisë dhe i foli me një greqishte të kulluar, aq sa Kryeministri grek qëndroi i hutuar dhe e dëgjoi me vëmendje, kuptohet pa i dhënë përgjigje. Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët  Bashkim Braho, Agush Meleqi, Qani Biraçi etj.Për të njohur të rinjtë me traditën e valleve karakteristike, si Vallja e Osman Takes etj. u thirrën Ibrahim D. Hoxha dhe Xhemil Demi. Takimi i parë masiv i komunitetit u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve për të përkujtuar ditën e gjenocidit.

Menjëherë filloi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë regjistrimi i popullsisë çame, në bazë seksionesh. Në Tiranë figuronin 29700 çamë, kurse në gjithë Shqipërinë  204 255 vetë.

Strategjia për sensibilizimin e problemit çam

Për të prezantuar problemin çam kemi takuar pothuaj pjesën më të madhe të përfaqësive diplomatike në Tiranë. Në materialet tona historike e diplomatike, që u vumë në dispozicion, ne argumentonim se çamët u dëbuan nga trojet e tyre si bashkëqytetrë të padëshirueshëm. Një takim me rëndësi ishte edhe ai në ambasadën greke, në vjeshtë të vitit 1991.

Paraqitja e kërkesave filloi qysh kur kryeministri grek Konstantin Micotaqis erdhi më 13 janar të vitit 1991 për herë të parë për vizitë zyrtare në Shqipëri. Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në adresë të saj në prag të ndryshimeve të mëdha. SHP “Çamëria” e sapo krijuar reagoi me anë të një letre, duke ja prezantuar edhe ambasadës greke në Tiranë në adresë të Kryeministrit Micotaqis, por dhe mikpritësit, presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë. Çamëria me këtë rast riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, fundi i shtatorit 1944 dhe ai i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945, nëpërmjet Komitetit Antifashist Çam, si përfaqësuese e vetme legjitime e popullatës çame në atë kohë. Rikthimin apo riatdhesimin, Ripronësimin dhe Gëzimin e të gjitha të Drejtave Njerëzore dhe qytetare në vatrën e tyre.

Predispozicioni i partive politike për çështjen çame

Qeveria e parë Demokratike shqiptare, e sapoardhur në pushtet, formuloi në programin e saj për politiken e jashtme edhe interesimin zyrtar për “Çështjen Çame”. Në këtë program thuhej : “Politika e fqinjësisë se mirë përbën një dimension të një rëndësie të veçante dhe për këtë do t`i kushtohet vëmendje zhvillimit te mëtejshëm te marrëdhënieve me Greqinë. “Qeveria shqiptare do të vazhdojë të respektojë të gjitha të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshme për zgjidhjen e problemit të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet ndërkombëtare.”

Në mungesë të një dosjeje të rregullt e të dëmtuar rëndë nga heshtja 45 vjeçare, hap pas hapi dhe me këmbëngulje u arrit të përpilohet një dosje diplomatike me titull “Çështja Çame”. Po kristalizohej një qëndrim zyrtar në politikën e jashtme të shtetit në raport me vendin fqinj, duke u përballuar me të gjitha elementet përbërës të këtyre marrëdhënieve të trashëguara nga e kaluara e tyre. U vu në dispozicion një formulim preciz dhe korrekt i trajtimit të çështjes çame mbi taktikën dhe strategjinë që duhej ndjekur deri në zgjidhjen përfundimtare, e plotësuar kjo me dokumente të rëndësishme.
Në muajin shkurt 1993 kemi një kritikë të fortë adresuar Greqisë nga SHBA. Në Raportin vjetor të respektimit të të Drejtave të Njeriut në botë për vitin 1993, të Departamentit të Shtetit, në faqen 904 të këtij Raporti publikohet : “ Çamët, shqiptarë etnikë të cilët kanë qenë dëbuar nga veriu i Greqisë në fundin e viteve 1940, kanë kërkuar rikthimin e shtetësisë së tyre greke dhe pasurive të konfiskuara në atë kohë. Qeveria ka shprehur një gatishmëri për të diskutuar kompensimin e pasurive, por nuk do të njohë dhe të deklarojë pretendimin historik të shtetësisë”. Nga përpjekjet që sollën prurje te re në ecurinë e afrimit të një zgjidhje të drejtë e të pranueshme, në  periudhën e bisedimeve dypalëshe shqiptaro-greke, veçojmë: Ndihmësen dhe përkujdesjen  që iu tregua përfaqësueseve të SHP “Çamëria” për të marrë pjese në aktivitete ndërkombëtare, si ajo e samitit të KSBE-së në Moskë, për minoritetet (10 shtator 1991), me pjesëmarrjen e Abaz Dojakës dhe Bashkim Kuçukut. Ky ishte aktiviteti i parë ndërkombëtar për njohjen dhe sensibilizimin e problemit çam. Një samit i dytë për minoritetet u bë në Varshavë, më  27.09 – 15.10.1993. Si ngjarje e rëndësishme mund të përmendim dhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në UNPO në Konferencën e Hagës, më 23-24 janar 1995.  Apo anëtarësimi në FUEN, etj. Në këto aktivitete delegacioni çam bëri një punë të lavdërueshme të finalizuar dhe në rezoluta.
Takimi i krerëve të kësaj shoqërie në Tiranë me Komisionarin e Larte të KSBE-se për Minoritetet M.Van der Stoel, si një rast për të shprehur zërin e tyre para kësaj figure të larte Evropiane, si dhe një sërë aktivitetesh të mëvonshme.
Një ngjarje me rëndësi, ku çështja çame mori një goditje të rëndë, ishte rasti historik i firmosjes për herë të parë i Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, më 21 mars 1996. Shteti grek bëri çmos për të fshehur problemet. Politika vendimmarrëse shqiptare dëshmohet jo unike në qëndrime në këtë moment delikat, duke e reduktuar Traktatin si një akt formal. E vetmja pikë reale dhe me vlerë afatgjate ishte përpilimi i Nenit 15, sipas variantit përfundimtar shqiptar, ku me shumë mundim u sanksionua detyrimi për njohjen e të drejtave pasurore. Ky nen, për hir të së vërtetës historike, i është imponuar në minutën e fundit ambasadës greke në Tirane në ecejaket e saj për të sqaruar se ç`farë kuptonte pala shqiptare me disa pika të draftit. Kjo vendosmëri e palës shqiptare ishte edhe një vlerë shpëtimi për Çështjen Çame të anashkaluar e injoruar në ketë dokument bazal. Dy dite me pas do te behej nënshkrimi nga dy ministrat e Jashtëm, me rastin e vizitës se presidentit te pare grek ne Shqipëri, z.Stefanopulos. Të dyja palët përpiluan dhe firmosën një Traktat Miqësie më tepër me përmbajtje konjukturale se sa shprehje e një dokumenti gjithëpërfshires të një miqësie të sinqertë në të mirë të dy vendeve dhe dy popujve. Të dy presidentët në bisedime heshtën dhe nuk formuluan asnjë fjalë për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë.  Mbas pak ditësh Presidenti asaj kohe, zoti Berisha, e vlerësoi si arritje të Traktatit  Nenin 15 të tij, ku çështja çame theksoi ai, do të zgjidhej sipas këtij neni. Të gjitha forcat politike shqiptare pa përjashtim i referohen edhe sot vetëm këtij neni, si arritje dhe si një çelës për zgjidhje.
Është vendi të pohojmë se popujt tanë shqiptarët dhe grekët dhe çamët midis tyre nuk e meritonin një përmbajtje të tillë të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve. Koha po dëshmon se përmbajtja e këtij Traktati nuk i ndihmoi palët në asnjë zgjidhje konkrete.
Viti i mbrapsht i 1997 i dha një goditje të rëndë edhe Çështjes Çame. U desh shumë kohë dhe energji  për të riparuar gabimet fatale në politikën e jashtme dhe të brendshme më 1997 dhe se fundmi për të sjelle atë gjendje dhe atë kurajë e seriozitet profesional të diplomacisë shqiptare në raport me vendin fqinjë Greqinë, tipare te viteve 1992-1996.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here