Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar bizneset se si mund të përdoret fatura tatimore elektronike. “Përdorimi i faturave tatimore kompjuterike të TVSH-së lejohet kur tatimpaguesi është i aftë të lëshojë fatura tatimore kompjuterike për çdo transaksion të tatueshëm me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve” udhëzojnë Tatimet.

Për të ushtruar këtë të drejtë, tatimpaguesi paraprakisht duhet të depozitojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve një kërkeëë me shkrim të shoqëruar me deklaratën apo vërtetimin përkatës në të cilin tregohet se sistemi i tij i regjistrimeve është i kompjuterizuar dhe i aftë të prodhojë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm për çdo transaksion. Po ashtu, duhet të dorëzojë edhe modelin e faturës kompjuterike që kërkon të përdorë e cila duhet të përmbajë elementet dhe të dhënat e përcaktuara në ligjin për TVSH-në ashtu si edhe numrin e transaksioneve që parashikon të kryejë në një periudhë tatimore

“Pas miratimit të përdorimit të faturës tatimore kompjuterike të shitjes, tatimpaguesi menjëherë paraqitet dhe tërheq numrat serial në dispozicion pranë drejtorisë rajonale tatimore ku është i regjistruar. Çdo faturë e lëshuar sipas modelit të miratuar duhet të përmbajë detyrimisht shënimin “përdorimi  kësaj fature është miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve me shkresën nr…datë…” vijon sqarimi i Tatimeve. Për çdo ndryshim në model, përmbajtje apo format fature, tatimpaguesi duhet të njoftojë Drejtorinë e Tatimeve.

Në rastet kur konstatohen shkelje, Tatimet paralajmërojnë penalitete.  “Nëse konstatohet se personi i tatueshëm ka keqpërdorur miratimin për përdorim të faturës tatimore kompjuterike me qëllim shmangien e detyrimeve, ka lëshuar faturë apo jo sipas modelit që është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ose ka bërë ndryshime në faturë për të cilat nuk ka njoftuar apo nëse faturat e lëshuara nuk përmbajnë numër serial të miratuar, atëhere tatimpaguesi dënohet sipas dispozitave të ligjit për procedurat tatimore” paralajmërojnë Tatimet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here