Oborret në përdorim, si merret certifikata e pronësisë

Agjencia për Trajtimit të Pronave ka publikuar formularin e ri për tjetërsimin e oborreve në përdorim për llogari të kompensimit financiar. Në formularin e ri të gjithë personat që kanë ndërtuar banesat pa leje, duke përfshirë edhe oborret që kanë marrë duhet të përcaktojnë kufizimet me të tjerët, sipërfaqen dhe për të marrë dokumentacionin duhet të paguajnë edhe një tarifë.

Procedura
Pasi subjekti ka paraqitur pranë ATP-së kërkesën së bashku me dokumentacionin e kërkuar, për kalimin në pronësi të oborrit në përdorim: ATP , brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit nga ana e subjektit, kryen verifikimin e hollësishëm të tyre (verifikimet kryhen në terren nga punonjësit e ATP-së).

ATP saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren. Në përfundim të shqyrtimit sipas afateve të mësipërme, ATP, harton vlerësimin ligjor dhe njofton subjektin sipas rastit, për:

-Të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të ATP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.

-Të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e oborrit në përdorim, shoqëruar me plan vendosjen përkatëse.

-Mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke arsyetuar, me shkrim, në mënyrë të hollësishme kushtet e përcaktuara në këtë vendim, që nuk plotësohen apo provohen.

-Kërkuesi, me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim, paguan, në numrin e llogarisë së caktuar nga ATP, për llogari të Fondit të Kompensimit të Pronave. Pagesa bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit nga ATP. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin nga ATP-ja të kërkesës për tjetërsim.

ATP  vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga:

– data e mbërritjes së mandatit, që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundër shpërblim.

-data e njoftimit të kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim.

Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm, i cili merret jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues në regjistrin e protokollit të ATP-së, i njoftohet kërkuesit. ATP-ja ia përcjell vendimin për regjistrim ZRPP-së, e cila kryen procedurën e regjistrimit në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Poseduesi i pasurisë së paluajtshme pajiset me certifikatën e pronësisë, pasi të ketë paguar më parë (në momentin e paraqitjes së kërkesës) tarifën e shërbimit, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *