Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave paralajmërojnë një bum ndërtimesh të reja gjatë viteve në vijim. Vetëm në nëntë muajt e parë të 2017-ës autoritetet dhanë 608 leje ndërtimi në të gjithë vendin, ku do të investohen 296 milionë euro. Kjo shifër është 2.3 herë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2016. Thuajse e gjithë kjo rritje vjen nga ndërtesat për qëllime banimi, apartamente dhe vila rezidenciale, me 170 milionë euro investim, ose 6 herë më shumë se viti 2016.

Ndërtimi ishte sektori që u godit më fortë nga kriza ekonomike duke u rrudhur me ritme të shpejta. Por rritja e vrullshme e lejeve të ndërtimit, tregon se sektori po rigjallërohet me ritme të shpejta. Fillimisht nga investimet në infrastrukturë dhe projektet energjetike, ndërsa tani edhe në ndërtimet e reja rezidenciale. Por përtej efektit pozitiv në rritjen ekonomike, zgjerimi i ndërtimit ka hapur debate të forta jo vetëm mbi pasojat në mjedis, por edhe në burimet e financimit.

Sipas bankës së Shqipërisë, në nëntor të vitit 2017 stoku i kredisë për ekonominë ishte 553 miliardë lekë, saktësisht në të njëjtat nivele me nëntorin e 2016-ës. pa shënuar asnjë rritje. Opozita thotë se zgjerimi i ndërtimit në këto rrethana është i dyshimtë.

Sipas saj, në kushtet kur bankat nuk kanë dhënë kredi, ndërtimet e reja financohen me para të dyshimta, që mund të burojnë nga trafiku i drogës. Por qeveria i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato si qesharake.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here