Pak ditë pasi Presidenti Trump shpalli në mënyrë të njëanshme njohjen nga Shtetet e Bashkuara të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me një votim që mund të konsiderohet spektakolar, votoi me 128 vota pro anullimit të këtij vendimi dhe me 9 vota kundër. 35 shtete abstenuan, dhe abstenimi nuk mund të konsiderohet si votë proamerikane sepse është i barazlarguar nga të dyja vendimet. Pra, një shpërpjestim kaq i madh mes votës për anullim dhe votës për ta lënë në fuqi këtë vendim, është një tregues i cili flet shumë, por ama shumë shumë.

Nga 9 shtete që votuan pro vendimit amerikan, dy prej tyre si SH.B.A dhe Izraeli ishin palë në këtë votim dhe numri real që mbetet ishin 7 shtete. Nëse u lexojmë emrat, pjesa më e madhe prej nesh as që nuk e dinte që ekzistonin në këtë glob shtete të tilla. Pra, pesha reale specifike e votës pro amerikano-izraelite është aq e vogël dhe e parëndësishme, saqë tërbimi i administratës Trump doli jashtë çdo logjike dhe tradite amerikane dhe u turr drejt  kërcënimeve ndaj shteteve që nuk i ishin bindur urdhërit të saj.

Këtu na dalin dy probleme. Së pari, me këtë qëndrim SH.B.A-të  vërtetuan se realisht  kanë qenë padroni i një institucioni të pavarur si OKB, dhe këtë atribut e kanë ushtruar pa u merakosur fare për parimet dhe rregullat, e në momentin që nuk ushtrohet bindje ndaj tij, atëhere hyjnë në fuqi ndëshkimet. Me pak fjalë, ambasadorja amerikane në OKB dhe presidenti Trump, shpejtuan të tregojnë fytyrën e vërtetë të marrëdhënieve aspak reciproke që ekzistojnë brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Problemi i dytë që del në pah me kërcënimin e adminstratës Trump, është se vërtet kësaj adminstrate as që nuk i intereson parimi themelor i demokracisë, që është respekti i mendimit ndryshe, e aq më tepër respektimi i mendimit ndryshe kur ai është në mazhorancë. Çfarë do të thotë që nëse nuk votoni si them unë, atëherë do t’i marrim emrat në shënim dhe do të ndërpresim ndihmat financiare? A nuk është pikërisht ky mentalitet i të fortit politikisht që bën shantazh e që ne në Shqipëri po duam ta luftojmë me anë të reformës në drejtësi? A nuk është po ky mentalitet që i shkel më të dyja këmbët parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe demokracisë në votime? Ku shkoi parimi i respektimit të sovranitet të integritetetit të kombeve në OKB ?

Tani, nuk mund të qëndrojë e drejta vetëm në dy shtete dhe shtatë “ishuj”, dhe e gabuara në 128 kombe. Pretendimin mbi monopolin e të vërtetës dhe sidomos kur ky pretendim lidhet me arsyetime ekonomike të tipit “unë financoj më shumë OKB-në dhe për këtë e drejta qëndron nga ana ime”, është thjesht shfaqje e depresionit për humbjen. Në fakt, problemi më i madh për palën amerikane, për mendimin tim, nuk qëndron në atë se kërkon të shantazhojë nstitucionin i cili mbi të gjitha është themeluar për të zhdukur shantazhin dhe shantazhistët në glob, por për faktin se administrata Trump po largon vendin e lirive dhe respektimit të dinjitetit njerëzor nga fryma dhe filozofia me të cilin ai u ngrit.

Shuplakën më të fortë Trump nuk e mori nga rezoluta e fundit e OKB-së, por nga ajo që George Washington,Thomas Jefferson, Benjamin Franklin, James Madison dhe Alexander Hamilton kanë lënë te shkruar në memorien historike të këtij kombi të madh. Nëse etërit e SH.B.A-ve do të ishin gjallë sot, jam i bindur se do të votonin pro rezolutës dhe kundër Trump, ngase shteti që themeluan u ngrit mbi vlera dhe kundër shtypjes, dhunës dhe  pro çlirimit nga pushtimi i territoreve. Pra, ngarja në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, braktisja nga shumica dërrmuese  e shteteve si dhe nga aleatët historikë të saj, më shumë duhet parë si rrezik i rrëshqitjes së administratës Trump drejt një politike emocionale ndërthurur me një soj autoritarizmi kaubojs, që më shumë po dëmton vetë vendin e lirive.

E në këtë panoramë, në këtë leksion diplomacie në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku universitetet më të mëdha të botës nxjerin mësime dhe i konsiderojnë si “case study”, vjen edhe atmosfera shqiptare me të gjithë ndotjen e vet akustike dhe intelektuale. Nuk ka se si një vend si ky i yni me një elitë intelektuale në më të shumtën e saj të kapur nga çdo anë, pa integritet dhe më një ndjenjë kompleksiteti të theksuar, të mund ta lexojë dhe interpretojë ashtu siç duhet mesazhin e dhënë nga kombet për këtë çështje. Për më tepër, të gjithë liderët politikë të hapësirës shqiptare, të  cilët u shprehën pa doreza aq sa habitën dhe vetë adminstratën amerikane për servilizmin e tyre, janë persona që në mos kanë kaluar një proçes gjyqësor, kërcënohen herë pas here me një të tillë.

Çështja e konfliktit izraelo-palestinez është një çështje e cila del jashtë kuadrit të marrëdhënieve të ngushta e meskine të politikës dhe politikanëve tanë. Ky konflikt dhe të gjitha ngjarjet që lidhen me të, janë një test për të provuar se sa popujt dhe liderët e tyre qëndrojnë në përputhje me vlerat humanitare të të drejtës dhe kundra çdo abuzimi me të. Aq periferik dhe banal është mjedisi ynë politik, sa edhe këtë ngjarje deshën ta kufizonin në vetëm personalizim me një kryeministër i cili është shumë i vogël për një domethënie kaq të madhe sa është ky konflikt. Dhe si gjithmonë tek ne, askush nuk u mor me parimet e këtij konflikti, por me personazhe politike dhe cic-mice meskine. Kur aleatët tanë kanë një mosmarrëveshje, ne nuk mbështesim atë që ka më shumë të drejtë, por jemi gjithmonë me më të fortin, se edhe marrëdhëniet tona të aleancave nuk janë ndëtuar mbi parimet e vlerave, por mbi interesa mundësisht sa më të ngushta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here