VMRO-DPMNE-ja me lider të ri, a do të dalë dot ai nga hija e Nikolla Gruevskit? – Maksim Sinemati

 

Maksim Sinemati

 

Hrisitian Mickoski, edhe zyrtarisht, u zgjodh kryetar i partisë VMRO-DPMNE, partia e parë më e madhe opozitare në Maqedoni, në kongresin zgjedhor të jashtëzakonshëm, që u zhvillua, ditët e fundit, në Valandovo (në pjesën lindore të vendit), duke u bërë, kështu, lideri i tretë në historinë e kësaj partie të madhe që, deri vitin e kaluar qëndroi më shumë se 10 vite në pushtet, ndërsa që, nga fillimi i këtij viti, ka kaluar në opozitë. Lider i deritanishëm i VMRO-DPMNE-së ka qenë Nikolla Gruevski që qëndroi në krye të saj që ngaviti 2003, kështu që edhe inluenca e tij në këtë parti të djathtë nacionaliste është ende e madhe, për më tepër që ai u zgjodh në kongresin e lartpërmendur si kryetar nderi i kësaj partie.

Mickoski, në fakt, ishte i vetmi kandidat për kryetar të VMRO-DPMNE-së, duke qenë se kandidatët e tjerë u tërhoqën nga gara partiake, duke pretenduar se kushtet nuk ishin të drejta e të barabarta për të gjithë që ata të siguronin mbështetjen e delegatëve. Në fjalën e tij të parë, mbas zgjedhjes, Mickoski vuri në dukje se, tani, është koha që të gjithë anëtarët e simpatizantët e VMRO-DPMNE-së të qëndrojnë së bashku, krahpër krah njëri-tjetrit, duke paralajmëruar se të gjitha mosmarrëveshjet e brendshme në këtë partiqë kanë krijuar ndasi dhe fraksione, duhet të zgjidhen pa teatër publik, sepse nga kjo gjë do të përfitonte vetëm partia në pushtet, LSDM.

Mickoski, prej një kohe të gjatë, është konsideruar si një kandidat që ka pasur mbështetjen më të madhe nga ana liderit të deritanishëm të plotfuqishëm, Nikolla Gruevski.Zërat e përhapur, madje edhe para zgjedhjeve lokale që kjo parti i humbi tetorin e kaluar, se Mickoski, ish-sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, do të fitonte dhe do të bëhej lideri i kësaj partie të madhe sllavomaqedonase në kongresin e 23 dhjetorit në Valandovo, dolën se ishin të saktë, pavarësisht, nëse kjo ishte ose jo rastësi.

Në qarqet politike dhe opinionin publik të Maqedonisë, vihet në dukje se Mickoski do të jetë një lider që, më së shumti, i përgjigjet Nikolla Gruevskit, ndërkohë që një situatë e tillë ka ekzistuar edhe, më 2003, kur kryetari i deriatëhershëm  i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski, u tërhoq dhe propozoi Gruevskin si pasues të vetin, madje, në një situatë të ngjashme, kur në këtë parti mbizotëronin ndasitë dhe fraksionet e pakënaqur me kursin e përgjithshëm të partisë.

Mickoski, sidoqoftë, nëse ka këllqe, duhet të tregojë se ai nuk do të jetë ndonjë lider në hije të Nikolla Gruevskit, se ai do të ndërmarrë veprime që do të synojnë rifreskimin e udhëheqjes së VMRO-DPMNE-së, sidomos, në një kohë, kur opozita do të duhet që të luajë një rol të rëndësishëm në periudhën e ardhshme për krijimin e një konsensusi kombëtar për çështjet më madhore strategjike shtetërore dhe të japë kontributin e vet në procesin e reformave në Maqedoni që janë të domosdoshme, nëse ky vend ballkanik do që, me të vërtetë, të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.

Sidoqoftë, shenjat e para nuk tregojnë se VMRO-DPMNE-ja synon me të vërtetë që të shndërrohet në një parti bashkëkohore, përkundrazi, ajo, deri tani, po i përmbahet me kokëfortësi taktikës së deritanishme, duke kritikuar me forcë gjyqësorin dhe pushtetin, kur është fjala për 36 të arrestuarit të dyshuar për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të vendit (ata hynë me forcë, më 27 prill, në parlamentin maqedonas dhe rrahën keqazi deputetë të partive opozitare sllave e shqiuptare, përfshi edhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, kryeministër aktual). Sipas kësaj partie, të arrestuarit janë patriotë dhe akuzat kundër tyre janë të motiviuar politikisht. Një pozitë e tillë, midis të tjerave, nuk e lejon VMRO-DPMNE-në që ajo të shndrrohet në një parti që duhet të respektojë organet gjyqësore për krijimin e kushteve dhe kthimin e besimit te sistemi gjyqësor i vendit, që drejtësia të sigurohet për çdo njeri, pavarësht nga përkatësia e tij politike, fetare, sociale, profesionionale, etj.

Sidoqoftë, nëse e shohim Mickoskin nga këndvështrimi i mbështetjes së madhe që ai mori në kongresin e fundit zgjedhor të jashtëzakonshëm jo vetëm nga delegatët, por edhe nga kuadrome më shumë përvojë të VMRO-DPMNE-së, atëherë, mund të konkludohet se kashpresë që ai të bëhet një lider i denjë që dota demokratizojë këtë parti të madhe dhe do t’i shuajë mosmarrëveshjet e ndasitë brenda saj. Micskoski e ka shansin që të bëhet një lider konsolidues bashkëkohor, për më tepër që emri i tij nuk është përlyer deri tani në skandalet e shumta të korrupsionit dhe të shpërdorimit të pozitave shtetërore, edhe pse ai ka mbajtur poste delikate në administratën shtetërore, si për shembull drejtor i përgjithshëm i ELEM-it ( Elektroekonomia e Maqedonisë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *