Nga Janusz Bugajski*

Një strategji fitimprurëse, e ndjekur nga Moska për të nënshtruar fqinjët e saj, është politika klasike perandorake e përçarjes dhe sundimit. Edhe pse Kremlini mund të mos sundojë vendet që i nënshtron, duke i vendosur fqinjët kundër njëri-tjetrit, mund të dobësojë mbrojtjen e tyre, të “injektojë” veten në vendimet e tyre të politikës së jashtme, si dhe të parandalojë shfaqjen e një fronti të përbashkët shumëkombësh që t’ii kundërvihet politikave të Rusisë.

Strategjia e “përçarjes dhe sundimit” të Moskës përrreth kufijve të saj, është aq shumë e përhapur, sa që do të duhej një raport i gjatë për të përshkruar të gjitha rastet dhe mënyrat. Megjithatë, Kremlini ka synuar të paktën katër marrëdhënie dypalëshe aktuale në rajon, ose duke dobësuar kundërshtarët e tij, ose duke kontrolluar aleatët e tij ngurrues:Poloni-Ukrainë, Bjellorusi-Ukrainë, Hungari-Ukrainë dhe Armeni-Azerbajxhan.

Që nga pushtimi i Ukrainës, propaganda e sponsorizuar nga Rusia, është përqëndruar në minimin e marrëdhënieve midis Ukrainës dhe fqinjëve të saj perëndimorë, për të izoluar dhe destabilizuar vendin. Polonia dhe Hungaria, kanë qenë dy objektivat kryesorë të ofensivës së Moskës.

Në rastin e Polonisë, deklaratat politike të gjeneruara nga Moska, raportet e medias dhe rrjetet sociale u fokusuan tek mosmarrëveshjet e vazhdueshme historike ndërmjet Varshavës dhe Kievit, në mënyrë që të dobësonin mbështetjen e Polonisë ndaj pavarësinë e Ukrainës, dhe vetë-mbrojtjes së saj kundër agresionit rus.

Për polakët, Moska e vë theksin tek ngjarjet e Volinit gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën disa guerrilje nacionaliste ukrainase vranë qindra civilë polakë. Për ukrainasit, Moska fokusohet në zhvendosjen e detyruar pas luftës nga ana e Varshavës të civilëve ukrainas, nga territoret lindore të Polonisë.

Qëllimi është të rriten ndjenjat nacionaliste në të dyja shtetet, dhe të tregohet se polakët janë pashmangshmërisht anti-ukrainas, dhe ukrainasit janë në thelb anti-polakë. Televizonet ruse, kanë inskenuar edhe incidente të nacionalistëve polakë, që pretendohej se po digjnin flamujt ukrainas gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë së Polonisë, në mënyrë që të ngjallnin armiqësinë ukrainase kundër polakëve.

Në një shembull tjetër të kultivimit të mosmarrëveshjeve në lagjen e tij, Kremlini inkurajon Budapestin të bëjë fushatë ndaj pakicës hungareze në rajonin Transkarpahia në Ukrainë. Ai përforcon pretendimin se Kievi, po ndjek politika diskriminuese, si dhe përhap propogandën e disa anëtarëve të komunitetit rutenian në Transkarpatia, për autonomi rajonale ose pavarësi të plotë.

Moska e përshkruan Ukrainën si një shtet të dështuar, duke pretenduar se ajo përballet me probleme gjithnjë e më serioze etnike në Transkarpatia dhe rajone të tjera përgjatë kufijve të saj. Strategjia e Kremlinit synon të ushtrojë presion mbi Kievin, duke i portretizuar hungarezët në Ukrainë si potencialisht jobesnikë ndaj shtetit, duke nxitur konfliktet ukrainase-hungareze, si dhe duke minuar një front të përbashkët të Vishegradit që kundërshton politikën ruse ndaj Ukrainës.

Mediat propagandistike të Rusisë, janë përpjekur gjithashtu të prishin marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Bjellorusisë. Ato pretendojnë në mënyrë të vazhdueshme, se militantët ukrainas po depërtojnë në Bjellorusi, për të organizuar një revoltë të llojit Euromaidan në Minsk.

Kremlini po kryen gjithashtu provokime të drejtpërdrejta, sikurse ishte arrestimi së fundmi i një gazetari ukrainas në Minsk, që thuhet se është inskenuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë Federale (FSB). Gazetari u akuzua për spiunazh, pasi iu kapën dokumente të falsifikuara nga stafi i një ekipi televiziv rus NTV, që zbulonin se Minsku do të lejonte që territori bjellorus të përdoret nga forcat ruse në luftën e saj kundër Ukrainës.

Kaukazi i Jugut, ofron shembullin më të qartë të strategjisë “përça e sundo“ nga ana e agjensive ruse:konflikti mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Moska furnizon të dyja palët me armë, dhe e përdor konfliktin për të mbajtur nën kontroll Jerevanin dhe Bakunë.

Që nga fillimi i viteve 1990, Moska ka penguar çdo lloj zgjidhje të konfliktit të Nagorno-Karabakut, dhe mosmarrëveshjeve rreth territoreve fqinje azere të pushtuara nga forcat armene. Objektivi i Moskës, është të parandalojë që të dyja vendet të lëvizin në një mënyrë gjeopolitike drejt Perëndimit, duke siguruar që ato të mbeten brenda orbitës ruse.

Duke ndihmuar pushtimin armen të Nagorno-Karabakut, Kremlini e kërcënon Azerbajxhanin me ndarjen e vendit, nëse qeveria azere do të afrohet më shumë me institucionet perëndimore. Në të njëjtën kohë, e shpërblen Armeninë për marrëdhëniet e saj me Moskën, por kërcënon të tëheqë një mbështetje të tillë, nëse Jerevani do të zhvillonte lidhje me BE-në dhe NATO-n.

Kremlini mund të manipulojë grindje të tjera, për të avancuar axhendën e tij, dhe trazuar institucionet ndërkombëtare. Tensionet e fshehta midis Serbisë dhe Kroacisë, Malit të Zi apo Kosovës, midis Maqedonisë dhe Greqisë, Rumanisë dhe Moldavisë, apo midis Rumanisë dhe Hungarisë mund të riushqehen nga propaganda dhe provokimet ruse.

Dhe çështja e pakicave brenda shteteve të shumta në Evropën Qendrore dhe Juglindore, mund të ndizet aq sa të përshkallëzohet në një konflikt. Për të kundërshtuar strategjinë “përça e sundo”, dhe për të shmangur rënien në kurthet e Moskës, çdo qeveri e shënjestruar prej saj duhet të ndjekë tri politika.

Së pari, ato duhet të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për dobësitë politike dhe informative, ndaj sulmeve të frymëzuara nga Kremlini. Së dyti, mund të krijojnë grupe pune dypalëshe me shtetet fqinje, të përbëra nga studiues dhe specialistë për të monitoruar, ekspozuar dhe korrigjuar propagandën e huaj përçarëse.

Dhe së treti, ata mund ta përdorin në mënyrë konstruktive ndërhyrjen e Moskës, si një mundësi për të zhvilluar nisma rajonale, veçanërisht në sferën informative. Kjo mund të përfshijë bashkëpunimin midis mediave, tryezat e IT, sigurinë kibernetike, shkëmbimet kulturore dhe programet arsimore.

Megjithëse mosmarrëveshjet dypalëshe, që ekzistojnë prej një kohë të gjatë nuk do të zhduken brenda natës, të paktën çdo shoqëri duhet të bëhet e vetëdijshme kur një palë e tretë grabitqare, synon t’i shfrytëzojë ato në funksion të avantazhit të vet.

* “Center for European Policy Analysis”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here