Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ligjin për buxhetin të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro. Sipas tabelave të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit. Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.

Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka zyrtarizuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.

Por, taksën do ta paguajnë edhe ata të cilët nuk kanë marrë në dorë një dokument ligjor për legalizimin, por kanë aplikuar në këtë proces. Të paktën 350 mijë ndërtime janë në proces legalizimi dhe ende nuk kanë marrë leje. Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit, kjo kategori do të paguajë 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Aktualisht në Shqipëri, ka qytetarë që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 10-mujorin e këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 4.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në vitet e fundit.

Kështu pensionistët e vetmuar, familjet me ndihmë ekonomike, banesat sociale, si dhe kategoria e invalidëve do të përjashtohen nga tatimi mbi ndërtesën. Taksës së pronës do t’i nënshtrohen edhe ato familje që janë në proces legalizimi, ndërsa ajo do të përfshihet tek fatura e energjisë elektrike dhe do të paguhet çdo muaj ose një herë në tre muaj. Parlamenti miratoi propozimin e mazhorancës për këto kategori, të cilat në total arrijnë në afro 90 mijë familje në të gjithë vendin. Por dilema që do të shoqërojë zbatimin e kësaj takse është kush do të quhet vlerë tregu mbi të cilin do të aplikohet tatimi? Çmimet e ndërtesave përcaktohen nga tregu i lirë dhe e njëjtë duket se do të jetë edhe logjika e taksimit të tyre.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj është shprehur se kjo formulë është përcaktimi i një takse sa më të drejtë në raport me zonën ku është banesa. Mbi vlerën që ka kjo e fundit do të merret një përqindje 0.05, të paktën për individët. Vendosjes së një çmimi sa më real i ka paraprirë pjesa e rivlerësimit të pasurive që u mbyll në maj të këtij viti. Gjithsesi për çdo rast që nuk ka kaluar këtë proces, kadastra do të ketë vlerësimin e saj që sjell pasurinë në vlerën e tregut. Në çdo rast mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar duket se vlerësimi do të bëhet mbi maksimalin. Diskutimet e shumta për këtë ligj kanë rezultuar edhe me një rritje të taksës që do të paguajë biznesi. Ministria e Financave fillimisht kishte propozuar përqindja që do të aplikohet mbi çmimin e një ndërtese që përdoret për veprimtari ekonomike të ishte 0.15% por Kuvendi miratoi një tatim në masën 0.2%.

Për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat mbi pronën. Referuar dhe analizave të bëra nga Ministria e Financave, taksat vendore mbi pasurinë e paluajtshme janë një burim i preferueshëm të ardhurash për disa arsye. Në radhë të parë, baza tatimore është e dukshme për çdokënd dhe është e vështirë t’i shpëtosh detyrimit tatimor që aplikohet ndaj pasurisë së paluajtshme. Nga këndvështrimi i administrimit tatimor, procesi i tatimit të pronës është më i lehtë pasi barra tatimore është e bashkëlidhur me pronën. Po sipas specialistëve të financave publike, gjithashtu si të ardhurat e tjera me peshë në financat e pushtetit vendor, kjo bazë tatimore rrit përgjegjshmërinë e drejtuesve vendorë, pasi krijon një lidhje direkt midis tatimeve të paguara dhe shërbimet e përfituara nga prona.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here