Fillimet e vitit 2014 nxorën në diskutime dhe reformën e sistemit të kadastrës fiskale, e cila më pas u kthye në prioritet. Për këtë element është diskutuar në tryeza të mbyllura dhe të hapura ekspertësh edhe para këtij viti, por pa patur organizime me fokus të qartë formatin e taksës ndaj pronës. Tatimi mbi pronën synon të jetë pjesa kryesore e burimit të të ardhurave të bashkive të reja, tashmë të ristrukturuara nga reforma administrative-territoriale. Megjithëse taksa mbi pronën ka një përfaqësim të vogël në të ardhurat tatimore që mblidhen nga administrata tatimore qendrore dhe vendore, ajo mund të transformohet në një burim të qëndrueshëm për financat vendore.

Dimensioni i vlerës së tregut të pronës është pjesa kryesore në arritjen e bazës së plotë të tatimpaguesve që do të paguajnë bazuar mbi llogaritjet që prodhohen prej saj. Ndërthurja e vlerës me bazën tatimore në mënyrë direkt do të ndikojë mbi fuqinë ekonomike të pushtetit vendor. Por a ka kapacitete pushteti vendor për ta mbledhur, por edhe ai qendror për të ngritur një agjenci, apo strukturë të posaçme kompetente për ta realizuar një nismë të tillë.

Një sistem i ndershëm fiskal ku do të jenë të identifikuara apo të shënuara të gjitha pronat e shqiptareve. Kjo është ajo që do të përmbledhë në një regjistër të vetëm, i gjithi online, atë që quhet Kadastër Fiskale. Ky regjistër do të ketë të regjistruar të gjitha pronat e paluajtshme, çka pritet të ketë një efekt pozitiv të paktën në uljen e evazionit fiskal në këtë sektor. Gjithë procedura bëhet për një regjistrim të plotë të pronave të paluajtshme, jo vetëm si hapësirë, por edhe si vlerë tregu.

Ministria e Financave ka thuajse 3 vjet që punon për realizimin e këtij projekti, megjithëse prej vitesh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është kërkuar  si një zgjidhje për mbledhjen e taksës së pronës. Por si do regjistrohen të dhënat dhe si do të funksionojë kadastra fiskale? Sipas ekspertëve të Financave që aktualisht po punojnë për këtë, regjistrimet që në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit (pronarit), numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut.

Sipas Ministrisë së Financave, FMN-ja ka kërkuar në bazë të praktikës botërore, që regjistrimi i pronave të jetë një proces i detyruar për të gjithë pronarët. Kjo risi do të sjellë, jo vetëm një njohje të plotë të situatës, por edhe një mbledhje të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas projektit të parashikuar, pronat e patundshme të qytetarëve do të regjistrohen te gjitha në një sistem online, se bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi.

Është ky thelbi i projektit, që parashikon krijimin për herë të parë në Shqipëri të Kadastrës Fiskale, e cila synon të vendosë rregull në këtë sektor, që konsiderohet më informale edhe për sa i përket të ardhurave në buxhet. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se krijimi i kadastrës fiskale është fokusi i paketës fiskale te vitit te ardhshëm. Informaliteti i lartë në ndërtime gjatë viteve te fundit ka bërë që në vendin tonë të mos ketë një bazë të dhënash të sakta.

Kështu ka mjaft objekte të cilat kanë nisur si banesa, janë transformuar në njësi tregtare apo shërbimesh, pra ndryshimi i destinacionit apo në jo pak raste edhe i pronarëve, bën që të ketë një amulli. Por ky projekt  pritet të finalizohet në vitin 2020, çka do të të thotë se dy vitet 2018 dhe 2019, do të shërbejnë si vite tranzicioni për ndërtimin e kësaj kadastre, por edhe për edukimin e qytetarëve me formulën e re të taksimit të pasurive të paluajtshme.

Sipas Ministrisë së Financave tashmë ka nisur bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës, e cila po jep eksperiencën e saj në këtë drejtim. Gjithashtu, në ngritjen e kadastrës fiskale pritet që një kontribut në asistencë teknike që japë edhe qeveria suedeze.

Violeta Shqalsi/SCAN Magazine

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here