Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor – për darkë “pa kollare” te Mogerini – Maksim Sinemati

 

 

 

Maksim Sinemati

 

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP), Edi Rama, Zoran Zaev, Ana Bërnabiç, Ramush Haradinaj, etj. u ftuan, mbrëmë (18 dhjetor), në Bruksel, për një darkë jozyrare nga shefja e madhe e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian (BE), Federika Mogerini. Është hera e tretë brenda këtij viti, që shefja e diplomacisë së BE-së i fton në Bruksel kryeministrat ballkanikoperëndimorë në një takim në kryeqytetin belg. Tema që mbizotëroi në këtë darkë ose takim joformal, ka lidhje me zhvillimet e fundit në Ballkan dhe ato të pritshme në rajonin tonë, më 2018, ndërkohë që partnerët evropianë janë zotuar se do të bëjnë gjithçka të mundur që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund t’i shfrytëzojnë mundësitë e fundit që atyre u janë dhënë që ata të avancojnë në rrugën drejt i ntegrimit në BE.

“BE-ja është e përkushtuar për forcimin e angazhimit të saj në rajon, ndërsa, ne të njëjtën kohë, ajo kërkon nga vendet ballkanikoperëmdimore që ato të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, më 2018, për avancimin e tyre në rrugën drejt BE-së, që kjo rrugë të bëhet e pakthyeshme”, theksohet në njoftimin e publikuar të kancelarisë qëndrore së BE-së.

Takimi i Mogerinit me kryeministrat e vendeve të BP-së zhvillohet në prag të publikimit të strategjisë për Ballkanin Perëndimor nga ana e presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, që, në fakt, do të publikohet, zyrtarisht, në shkurt të vitit të ardhshëm dhe ajo (strategjia) do të jetë dokumenti i parë i këtij lloji, me të cilin, BE-ja, mbas vendimit konsensual të saj në samitin e Bashkimit Evropian, në Selanik, më 2003, angazhohet që të pranojë në familjen e madhe evropianetë gjithë vendet e rajonit tonë.

Me këtë rast, duhet të theksohet se, ndërkohë, po vazhdon ofensiva diplomatike edhe e anëtarëve të tjerë të Komisionit Evropian (KE).Mbas paralajmërimit optimist për një raund të ri bisedimesh për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të OKB-së, Metju Nimic, komisioneri i lartë për zgjerimin të BE-së, Johanes Han, vuri në dukje, ditët e fundit, në Athinë, mbas takimit me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kosias, se ata biseduan për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për integrimin e vendeve të BP-së në BE.

Perspektivat evropiane të BP-së që janë në horizont, më 2018, si edhe strategjia e KE-së që do të shpallet, shkurtin e ardhshëm, ishim temë qëndrore bisedimesh të takimit të mbrëmshëm mes Mogerinit dhe kryeministrave të vendeve të rajonit tonë që kanë pritshmëri të mëdha nga zbatimi i dokumentit të lartpërmendur që duhet të përcaktojë politika e BE-së drejt Ballkanit, gjatë viteve të ardhshëm.

Funksionarë të lartë të KE-së, ndërkohë, momentalisht, po i “bien rreth e qark” vendeve të BE-së, në përpjekje që t’i bindin se ata duhet t’i japin “dritën e gjelbër” strategjisë së ardhshme për Ballkanin, pasi ende nuk dihet, nëse ajo (strategjia) do të mund të marrë miratimin të të gjithë 28 vendeve-anëtare të BE-së. Brukseli, nga ana e tij, pret që vendet e Ballkanit Perëndimor do të japin gjithçka nga vetja që t’i bindin vendet e BE-së për rëndësinë e dokumentit të lartpërmendur. Vendet e BE-së më të lëkundur, momentalisht, janë Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, ndërkohë që pritet që mbështetja e Gjermanisë të vijë mbas krijimit të qeverisë së re në Berlin. Qeveria e re në Paris, nga ana tjetër, po ngul këmbë me forcë për nevojën e një lufte të vendosur dhe pa komromis kundër korrupsionit të përhapur në Ballkan, ndërsa ka paralajmëruar se ajo nuk do t’i japë “amin” dokumentit të mësipërm, vitin e ardhshëm, nëse rezultatet e kësaj lufte antikorrupsioniste nuk do të jenë të prekshme ose të dukshme. Kjo luftë nënkupton, midis të tjerave, reforma në sistemin gjyqësor, shërbimet e zbulimit dhe administratën publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *