Gara për kryeprokuror, kandidaturat bëhen shtatë

0
5

 

Ferdinand Elezi, Arta Marku, Besnik Muçi, Arqile Koca, Granit Shahu, Ermira Tafani dhe Artur Selmani janë emrat e prokurorëve që kanë hedhur kandidaturën për këtë post.
Të mërkurën, në orën 15:00 kandidatët do të dëgjohen në Kryesinë e Kuvendit.
Gjatë ditës, demokratët dhe socialistët i theksuan dhe më fort pozicionet e tyre. Fillimisht në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, akuzoi mazhorancën se ka si qëllim kryesor kapjen e sistemit të drejtësisë në pikën më themelore të tij, siç e quajti ai hetimin.
“Institucioni kyç që e bën sistemin e drejtësisë të pavarur është institucioni i Prokurorisë. Që hap dosje dhe mbyll dosje” u shpreh Eduard Halimi, Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, PD.
Nga ana e tij Ulsi Manja hodhi në tavolinë të njëjtën ftesë bashkëpunimi për opozitën.
“Vazhdon akoma që ne kërkojmë dakordësi për procesin. Për të pasur një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Me një profil të lartë, me një integritet të lartë profesional dhe moral. Për ne nuk ka rëndësi emri, vetëm procesi për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, u shpreh Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Më pas replikat u zhvendosën mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në rrjetet sociale. Kryeministri Rama i tha kreut demokrat se është koha për të vënë drejtësinë mbi frikën për drejtësinë, dialogun politik mbi çdo mjet tjetër politik dhe negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbi gjithçka që ata i ndan në parti të ndryshme.
Lulzim Basha tha se reforma në drejtësi është në Kushtetutë dhe se ajo realizohet përmes zbatimit të saj dhe jo pazareve partiake. Basha thekson se kryeprokurori duhet të vijë përmes vettingut dhe shumicës së cilësuar prej 84 votash. Kreu i PD e mbyll reagimin, duke deklaruar mbështetje për vetting, ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here