Presidenti Meta: Jo vendime të njëanshme për kryeprokurorin. Zbatoni Kushtetutën!

0
6

 

Presidenti Ilir Meta ka folur sot për herë të parë për debatin lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Në konferencën për mediat me homologun malazez, Filip Vujanoviç, i pyetur nga gazetarët për debatin e kryeprokurorit, kreu i shtetit tha se të gjitha palët duhet të respektojnë Kushtetutën.

Sikurse ju e dini kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë. Si president unë dua të nënvizoj, derisa kemi të bëjmë me një çështje të rëndësishme të një institucioni kyç të drejtësisë, që duhet respektuar Kushtetuta dhe fryma e saj. Është e rëndësishme që të ketë midis aktorëve kryesorë një dialog të shpejtë, të përgjegjshëm dhe të bazuar mbi standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi çdo hap i njëanshëm nuk do t’i ndihmonte konsolidimit të pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së besimit të institucionet e reja të drejtësisë”,- u shpreh Presidenti Ilir Meta.

Në komentin e kreut të shtetit ishin tre mesazhe për klasën politike lidhur me kryeprokurorin e ri.

Mesazhi i parë ishte që duhet zbatuar Kushtetuta, e cila në fakt flet për zgjedhje kryeprokurori me 84 vota dhe jo për kryeprokuror të përkohshëm.

Së dyti, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e dialogut mes palëve. Në këtë linjë, qëndrimi i tij është për një marrëveshje konstruktive mes palëve dhe pa konflikte. Por në kërkesën për dialog, Presidenti theksoi se dialogu duhet të jetë transparent. Indirekt kreu i shtetit ka paralajmëruar qëndrimin kundër pazareve dhe marrëveshje të fshehta, duke mos e thënë, por që nënkuptohet, siç ndodhi me pazarin Rama-Basha me 17 maj 2017. Pra nënteksti ishte se nuk mundet të zgjidhet Kryeprokurori me kafe-pazar Rama-Basha apo Rama-Kryemadhi.

Ndërkohë mesazhi i tretë i adresohej direkt Partisë Socialiste. Presidenti tha se çdo hap i njëanshëm do të dëmtonte procesin. E thënë ndryshe, nëse PS vijon aksionin për zgjedhjen e kryeprokurorit vetëm me votat e saj, sipas Presidentit Meta, ky do të ishte një zhvillim jo pozitiv.

Qëndrimi i kreut të shtetit është një sinjal i hapur se zgjedhja e kryeprokurorit vetëm me votat e PS mund të sjellë komplikime të tjera të situatës politike në vend.

Kreu i shtetit ka komentuar sot për mediat edhe emërimin kreun e ri të SHISH, Helidon Bendo, i cili është propozuar nga Edi Rama, por nuk është dekretuar ende nga Presidenti.

Duhet të keni në konsideratë që një vendimmarrje e tillë është e rëndësishme. Presidenti i Republikës duhet të jete i bindur që vendim përfundimtar tregon pavarësinë dhe efikasitetin e një institucioni kaq të rëndësishëm si ai i sigurisë kombëtare”,-  u shpreh kreu i shtetit. Me sa kuptohet, kush njeh fjalëkryqin presidencial, Presidenti nuk do ta dekretojë kreun e SHISH propozuar nga Kryeministri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here