Në Kuvend janë depozituar nismat ligjore që shoqërojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Një ndër nismat që është depozituar në Kuvend është ajo që ndryshon ligjin e vitit 2011 për Ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Një prej pikave të këtij projektligji parashikon se “për mosmarrëveshjet me karakter pasuror që lidhen me të drejtat e pronësisë ose të bashkëpronësisë, pjesëtimin e pasurisë, paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cënimit të posedimit, mosmarrëveshjet që rrjedhin nga mospërmbushjet e detyrimeve kontraktore, si dhe ato që kanë si objekt shpërblimin e dëmit jashtë kontraktor me vlerë nën 1.000.000 lekë, ndërmjetësimi është i detyrueshëm paraprakisht para fillimit të shqyrtimit të çështjes gjyqësore”.

Po ashtu, nisma ligjore sjell si risi zgjerimin e rrethit të konflikteve që mund të zgjidhen me ndërmjetësim. Kështu, ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe për çështjet me natyrë administrative që lidhen me shpërblimin e dëmit të ardhur si rezultat i zbatimit të akteve dhe vendimeve administrative, si dhe për zgjidhjen e pasojave që mund të vijnë për një palë, individ apo person juridik nga procesi i anullimit ose i shfuqizimit të tyre.

Po ashtu, Ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe në rastin e konflikteve midis shtetasve shqiptarë kundër Republikës së Shqipërisë si rezultat i procedurave të gjykimit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe rastin e mosmarrëshjeve ndërkufitare tregtare dhe mosmarrëveshjet në fushën detare), mbështetur në ligjin model të UNCITRAL-it. Nga ana tjetër, nisma ligjore parashikon një shtim të numrit të ndërmjetësuesve në vend dhe zgjerimin e gamës së individëve që mund të pajisen me licencën e ndërmjetësit duke përfshirë individët me eksperienca pedagogjike dhe akademike si trajnerë e pedagogë, apo që janë diplomuar në Master për menaxhimin e konflikteve,etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here